Maqedoni
Tetovë, AKI me propozim për riemërimin e 67 rrugëve
08.07.2026 15:51
Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë vazhdon të mbetet “mollë sherri” mes pozitës dhe opozitës....

Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë vazhdon të mbetet “mollë sherri” mes pozitës dhe opozitës. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe protestës së parë të organizuar javën e kaluar, grupi i këshilltarëve të AKI-së ka ndërmarrë hapin e parë institucional, duke dorëzuar një kërkesë zyrtare për emërtimin dhe riemërtimin e 67 rrugëve, si dhe të Sheshit të Tetovës. Sipas tyre, propozimi është përgatitur mbi baza historike, ligjore dhe duke respektuar karakterin multietnik të qytetit.
“Sot, si grup i këshilltarëve të AKI-së, në cilësinë e koordinatorit dorëzova një kërkesë për plotësimin dhe ndryshimin e rendit të ditës pranë kryetarit të Këshillit Komunal. Kërkuam që si pikë e parë të vendoset propozim-vendimi për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në territorin e Komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për një propozim konkret për 67 rrugë dhe Sheshin e Tetovës. Ky propozim është hartuar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke pasqyruar realitetin historik, si dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike dhe trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë.”, - deklaroi këshilltari i AKI-së, Tetovë, Berat Murati.
Abduli: Kërkesa e AKI-së do të shqyrtohet të hënën
Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli, konfirmoi pranimin e kërkesës, duke bërë të ditur se ajo do të përfshihet në rendin e ditës së seancës së së hënës, ku këshilltarët do të zhvillojnë debat përpara se të vendosin me votim.
“Ditën e hënë, Këshilli Komunal do të mbajë seancën e tij të 15-të, ku do të shqyrtohen shumë pika të rëndësishme për qytetin e Tetovës. Ne aktualisht jemi në bisedime dhe konsultime e sipër. Të njëjtën kërkesë do ta shqyrtojmë në atë seancë së bashku me këshilltarët e pozitës. Do të zhvillohet debat dhe më pas do të merret vendim, ashtu siç parashihet me rregullore, përmes votimit të shumicës.”, - theksoi kryetari i Këshillit të Tetovës, Jusuf Abduli.
Debati për emërtimin e rrugëve në Tetovë u riaktualizua pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e vitit 2007 për ndryshimin e toponimeve. Me këtë vendim, 14 rrugë në Tetovë duhet t'u rikthehen emërtimeve të mëparshme, ndërsa edhe vetë Sheshi "Iliria", në aspektin juridik, rikthehet në emërtimin "Marshall Tito". Komuna e Tetovës ka formuar një komision të posaçëm që po punon për përgatitjen e një propozimi të ri për emërtimin e rrugëve që ende nuk kanë emra ose identifikohen vetëm me numra. Sipas informacioneve, komisioni synon që brenda dy muajve ta finalizojë këtë propozim dhe ta dërgojë për miratim në Këshillin Komunal, i cili duhet të miratohet me shumicën e Badinterit.
VISAR SADIKI
