MPB-ja dhe Interpoli forcojnë bashkëpunimin për përballjen me sfidat e sigurisë
Akademia Policore e MPB-së dhe Akademia Policore e Interpolit....

Akademia Policore e MPB-së dhe Akademia Policore e Interpolit po thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, me qëllim shkëmbimin e përvojave, trajnimin e përbashkët dhe përgatitjen më moderne të kuadrove të ardhshëm policorë.
Kjo u theksua gjatë vizitës së sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, Valdesi Urkiza, në Akademinë Policore në Idrizovë, ku u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat e reja të sigurisë.
“Vlerësojmë se ky bashkëpunim do të kontribuojë në organizimin e trajnimeve të përbashkëta, seminareve dhe punëtorive, shkëmbimin e përvojave, ekspertëve dhe trajnerëve, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare kërkimore, zhvillimin e programeve moderne mësimore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe forcimin e kapaciteteve për luftën kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik, terrorizmit, trafikimit me njerëz dhe formave të tjera të krimit transnacional.”, - deklaroi ndihmës ministri në Qendrën e Trajnimit, Vllatko Mitkovski.
Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Valdesi Urkiza, tha se Maqedonia e Veriut është një partner i rëndësishëm i organizatës dhe se tregon përkushtim serioz ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Duke iu drejtuar kadetëve policorë dhe drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Urkiza vlerësoi rolin e Qendrës së Trajnimit të MPB-së në përgatitjen e kuadrove të ardhshëm policorë dhe njëherësh shtoi se përparimi teknologjik sjell sfida të reja në luftën kundër krimit, ndaj është i domosdoshëm bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar mes shërbimeve policore.
"Arsimi dhe trajnimi i vazhdueshëm do të kenë një rol kyç në të ardhmen tuaj si zyrtarë policorë. Krimi po bëhet gjithnjë e më kompleks, ndërsa mënyra se si policia trajnohet dhe mëson duhet të zhvillohet në përputhje me kërcënimet e reja. Do të përballeni me gjuhë të ndryshme, sisteme të ndryshme ligjore dhe mënyra të ndryshme pune. Jam i bindur se në këto rrethana do ta njihni Interpolin si një partner të gatshëm dhe të besueshëm në luftën tuaj. Nga bashkëpunimi që pashë në kufirin tuaj me Shqipërinë, si dhe nga aktivitetet e përbashkëta me autoritetet serbe, shoh se Maqedonia e Veriut i qaset seriozisht bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Pikërisht kjo e bën Interpolin gjithnjë e më të rëndësishëm në luftën bashkëkohore kundër krimit të organizuar.", - theksoi sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Valdesi Urkiza.
Urkiza njëherësh rikujtoi se që nga nëntori i vitit të kaluar, Qendra e Trajnimit e MPB-së është pjesë e Rrjetit Global Akademik të Interpolit. Ai përshëndeti gjithashtu përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në operacionet ndërkombëtare kundër trafikimit me njerëz dhe tregtisë së paligjshme të armëve. (Rexhep Qamili, TVM2)
