Kuvendi i RMV-së përkujtoi gjenocidin në Srebrenicë

10.07.2026 14:56

Në Kuvendin e RMV-së u rikujtua një nga ngjarjet...

Në Kuvendin e RMV-së u rikujtua një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, gjenocidi në Srebrenicë. Një ditë përkujtimi, por edhe një thirrje për të mos harruar pasojat që sjell urrejtja, mohimi dhe mosrespektimi i jetës njerëzore.

Nga foltorja e Kuvendit u përcoll mesazhi se kujtesa për viktimat duhet të shërbejë si përgjegjësi e përbashkët për të mbrojtur paqen, drejtësinë dhe bashkëjetesën. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kryetari i komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Adnan Aziri, theksuan se nderimi më i madh për viktimat është ruajtja e së vërtetës dhe pranimi i fakteve.

 “Si kryetar i Kuvendit jam i bindur se institucionet e fitojnë pasqyrën e vërtetë vetëm atëherë kur mbrojnë parimet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri, e ato janë jeta njerëzore, dinjiteti, liria, uniteti dhe e vërteta. Respekti më i madh që mund t’ua kushtojmë viktimave të Srebrenicës nuk është vetëm t’i kujtojmë emrat e tyre, por të themi qartë dhe pa hezitim se atje u krye një gjenocid i planifikuar, i cili kishte për qëllim shfarosjen e një populli të tërë. Vetëm nëse e përmendim dhe e kujtojmë Srebrenicën në mënyrën e duhur, mund t’i mbrojmë fuqishëm këto vlera  vlerat njerëzore, drejtësinë dhe paqen.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.

“Nuk është e rastësishme që kjo seancë mbahet pikërisht në këtë komitet, i cili është shtëpi e shumë popujve, ligjeve dhe shumë feve. Bashkëjetesa jonë çdo ditë ruhet përmes punës së institucioneve, të cilat i shohin të gjithë qytetarët me guxim për t’i ndërprerë fjalët fyese, nga cilido krah që vijnë ato. Komunitetit boshnjak në vendin tonë, nga kjo sallë dua t’i përcjell mesazhin se nuk jeni vetëm. Përkujtimi i viktimave nuk është obligim vetëm i një populli, por i çdo qytetari që beson në drejtësi.”, - theksoi kryetari i Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Adnan Aziri.

Përfaqësuesit e komunitetit boshnjak theksuan se gjenocidi nuk është një ngjarje që “ndodh”, por një akt i planifikuar dhe i organizuar, ndërsa e vërteta për Srebrenicën duhet të shërbejë si bazë për drejtësi dhe pajtim.

“E vërteta për Srebrenicën nuk është e drejtuar kundër asnjë populli. E vërteta e çliron shoqërinë nga barra e gënjeshtrave dhe hap hapësirë për pajtim të vërtetë. Prandaj, sot nuk flasim me gjuhën e urrejtjes, hakmarrjes apo për t’i thelluar ndarjet, por flasim me gjuhën e drejtësisë. Flasim për ta parandaluar përsëritjen e tyre. Nuk jemi mbledhur që të mbetemi të robëruar në të kaluarën, por jemi mbledhur që të mund ta mbrojmë të ardhmen.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Nacional Boshnjak, Xhevat Hot.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë ambasadorë, deputetë dhe ish-deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe partive politike, si dhe pjesëtarë të komunitetit akademik. (Rexhep Qamili, TVM2)