Maqedoni
Kodi Zgjedhor, Rokas pret konsensus nga partitë politike, ndasitë politike mbajnë partitë larg dakordimit
14.07.2026 14:09
Rokas theksoi se vendi rrezikon mbështetje financiare nga fondet evropiane...

Euroambasadori Mihalis Rokas drejtoi apel të drejtpërdrejtë dhe të qartë deri tek partitë politike që të gjejnë gjuhë të përbashkët për reformat në Kodin Zgjedhor. Rokas theksoi se vendi rrezikon mbështetje financiare nga fondet evropiane, mbi 4 milionë euro, nëse nuk arrin konsensusin deri nesër.
“Ne me të vërtetë shpresojmë se me ditën e sotme dhe një ditë tjetër shtesë do të mund të arrihet konsensus. E kuptoj se koordinatorët partiakë po takohen në baza ditore dhe shpresoj se ky hap do të përmbushet. Siç e dini, bëhet fjalë për 4.2 milionë euro, të cilat janë parashikuar për të mirën e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, andaj shpresoj se ky konsensus do të mund të arrihet deri në fund të ditës së nesërme.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
VMRO – DPMNE konsideron se opozita po bën teatër dhe nuk kanë për qëllim të dakordohen për Kodin e ri Zgjedhor.
“Njëra palë, gjoja, i bëri thirrje opozitës të ulej dhe të bisedonte, ndërsa pala tjetër gjoja e hodhi poshtë ofertën. Kjo është thjesht një lojë sipërfaqësore e opozitës, me qëllimin e vetëm të mos lehtësojë votimin e diasporës dhe të mos sjellë Kodin e ri Zgjedhor. LSD-ja, E Majta dhe BDI-ja nuk duan një Kod të ri Zgjedhor, sepse po e përgatisin këtë çështje si alibi përpara ciklit të ardhshëm zgjedhor.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
LSDM-ja nuk heq dorë nga kundërshtimi që diaspora të votojë në formë elektronike, pasi hapet rruga për keqpërdorime. Kryesocialdemokrati Filipçe druan në synimet e Lëvizjes E Majta.
“E pamë edhe njëherë se E Majta është opozitë e kontrolluar nga ana e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Ata propozojnë bashkim të qëndrimeve të opozitës rreth Kodit Zgjedhor. Kush janë ata që të iniciojnë diçka me urdhër të Mickoskit.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
E Majta kërkon financim transparent gjatë fushatës, përkrah votimin e diasporës nëse modeli zgjedhor transformohet në një njësi zgjedhore. Partitë opozitare shqiptare janë për votimin e diasporës në formë elektronike. Por, Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës kërkon që diaspora të përfshihet edhe në parlamentare dhe lokale. BDI është për një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe prag zgjedhor prej 5%.
MERAL ISMAILI
