Maqedoni
Gjykata Penale, Gruevski u lirua nga akuzat në rastin “Talir 2”
14.07.2026 14:45
Gjykata Themelore Penale në Shkup e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”...

Gjykata Themelore Penale në Shkup e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, i cili lidhej me akuzat për tejkalim të kompetencave zyrtare dhe financim të paligjshëm të ndërtimit të selisë së VMRO-DPMNE-së. Gjyqtarja Daniela Aleksovska tha se vendimi është marrë duke pasur parasysh ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023. Sipas saj, edhe pse aktakuza ishte ndryshuar, Prokuroria nuk arriti të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Gruevski kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Me të njëjtin vendim, gjykata hodhi poshtë edhe kërkesën e Prokurorisë për konfiskimin e selisë së VMRO-DPMNE-së, ndërsa vendosi që shpenzimet e procedurës gjyqësore të mbulohen nga Buxheti i shtetit.
“I akuzuari Nikolla Gruevski lirohet nga akuza në bazë të nenit 403, paragrafi 1, pika 3 të Ligjit për Procedurën Penale. Refuzohet propozimi i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, i paraqitur në përputhje me nenin 100 të Kodit Penal, për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, përkatësisht selisë së partisë VMRO-DPMNE. Në të njëjtën kohë, refuzohet edhe propozimi i Prokurorisë, i paraqitur në bazë të neneve 97, 97-a dhe 98, paragrafi 2 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 531 të Ligjit për Procedurën Penale, për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme në vijim, përkatësisht pronave të përshkruara në fletët poseduese, të cilat më parë ishin siguruar me vendime për caktimin e masës së përkohshme.”, - deklaroi gjyqtarja, Daniela Aleksovska.
Edhe pse Prokuroria ka të drejtë të parashtrojë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, sipas afateve ligjore, lënda në fjalë vjetërsohet muajin e ardhshëm dhe të vogla janë gjasat që Gjykata e Apelit do të arrijë që në këtë afat të miratojë vendim të plotfuqishëm. Rasti “Talir 2” ishte rikthyer në rigjykim, pasi në janar të vitit 2024 Gjykata e Apelit e Shkupit shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë, si pasojë e ndryshimeve në Kodin Penal, veçanërisht për nenin 353 që rregullon veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Lëndën fillimisht e hapi prokuroria speciale publike.
FLORIJE KAMBERI
