Mbi 60 emra të rinj për rrugët e Tetovës, përgatet lista e re të emrave të rrugëve
Kryetari i Komisionit për emërime dhe riemërime të rrugëve...

Kryetari i Komisionit për emërime dhe riemërime të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Komunën e Tetovës, Albi Qamili, tha se në mbledhjen e mbajtur sot janë konfirmuar mbi 60 emra, të cilët do të përfaqësojnë identitetin kombëtar, kulturor, arsimor, artistik dhe sportiv të Tetovës.
Sipas tij, lista synon të pasqyrojë historinë dhe karakterin shumëetnik të qytetit, ndërsa në mbledhjet e ardhshme do të plotësohet me emra të tjerë para se të proceduohet për miratim.
"Lista e propozuar është ndërtuar mbi një parim të qartë. Rrugët e Tetovës duhet të pasqyrojnë identitetin e plotë të qytetit, historinë, kulturën dhe karakterin e tij shumetnik. Në të gjenden figura të mëdha të historisë dhe kombit shqiptar, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, si dhe Gonxhe Bojaxhiu. Gjithashtu, përfshihen edhe personalitete që kanë lënë gjurmë në kulturë, art, arsim dhe sport në Tetovë. Rrugët ku jetojnë bashkëqytetarët tanë maqedonas nuk do të mbajnë emra jugosllavë, por emra dhe figura të historisë dhe kulturës maqedonase." – tha Zv.Kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Qamili bëri të ditur se në mbledhjet e ardhshme do të diskutohet edhe për emrat që i shfuqizoj Gjykata Kushtetuese, si dhe për listën me mbi 40 emra të votuar nga Këshilli Komunal në vitin 2006.
"Si komision kemi vendosur që në një nga mbledhjet e ardhshme të diskutojmë më konkretisht për këtë çështje, pasi vendimi i vitit 2007 ka përfshirë 12 rrugë, ndërsa lista e miratuar nga Këshilli Komunal ka pasur mbi 40 emra. Në mbledhjen e radhës duhet të vendosim nëse do të konfirmohen vetëm 12 emrat e miratuar nga Gjykata Kushtetuese, apo i gjithë propozimi që ka qenë në listën e vitit 2006, pasi në atë listë ka edhe shumë emra e personalitete të tjera që reflektojnë identitetin kombëtar, kulturor dhe historik të Tetovës." – u shpreh Qamili.
Komisioni per emërime dhe riemërime të rrugëve do vazhdojë edhe ditëve tjera dhe lista përfundimtare pritet të shqyrtohet dhe të miratohet nga Këshilli Komunal, ndërsa më pas do t'i dërgohet Qeverisë për procedurat e mëtejshme të miratimit. (Visar Sadiku, TVM2)
