Maqedoni
Dita e fundit për marrëveshje për Kodin Zgjedhor
15.07.2026 11:44
Sot skadon afati shtesë për arritjen e konsensusit dhe miratimin e Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut...

Sot skadon afati shtesë për arritjen e konsensusit dhe miratimin e Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, por partitë nuk japin shenja se mund t’i afrojnë qëndrimet dhe ta miratojnë atë.
Kodi Zgjedhor është pjesë e Agjendës Reformuese, megjithatë partitë vazhdojnë të mbeten në pozicione diametralisht të kundërta. Qëndrimi i partive shqiptare është se diaspora duhet të ketë të drejtën e votës. Lidhja Shqiptare ka paralajmëruar se do ta bllokojë ligjin nëse nuk arrihet marrëveshje që diaspora të votojë.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se partia e tij do ta pranojë çdo ligj që përmirëson mënyrën e votimit, por nuk pranon vendosjen e mekanizmave që do të mundësonin manipulimin e zgjedhjeve. E Majta këmbëngul për një njësi të vetme zgjedhore. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ia hedh fajin opozitës, duke pretenduar se partitë opozitare nuk kanë vullnet të arrijnë marrëveshje për një Kod të ri Zgjedhor.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, dje shprehu shpresën se partitë politike do të arrijnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai theksoi se miratimi i ndryshimeve është i rëndësishëm, pasi prej tyre varet pagesa e 4.2 milionë eurove nga fondet evropiane.
