Maqedoni
Saraj, filloi rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë
15.07.2026 13:56
Filluan punimet ndërtimore për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në fshatin Gllumovë të Komunës së Sarajit....

Filluan punimet ndërtimore për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në fshatin Gllumovë të Komunës së Sarajit. Projekti përfshin rregullimin e plotë të 12 kilometrave të shtratit të lumit, nga fshati Bojanë deri në Gllumovë, synon t'i japë fund rrezikut të përmbytjeve me të cilën për vite me radhë janë përballur banorët e kësaj zone. Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, e cilësoi këtë si investimin më të madh në historinë e komunës, i cili do të rrisë sigurinë e qytetarëve dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre.
“Sot po hedhim themelet e një investimi më historik që ka pasur Komuna e Sarajit, rregullimin e plotë të shtratit të Lumit të Thatë. Për vite me radhë banorët e fshatrave përgjatë këtij shtrati kanë jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të përmbytjeve, kanë pasur tokat e tyre bujqësore të dëmtuara, shtëpitë nën rrezik dhe sigurinë e familjeve të tyre të vënë në pikëpyetje në çdo sezon të reshurave. Sot ky kapitull shqetësimi po mbyllet. Projekti parasheh rregullimin e shtratit të lumit me gjatësi prej 12 kilometrave nga fshati Bojanë deri në vendbanimin Gllumovë, ku Lumi i Thatë derdhet në lumin Treska.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.
Për këtë investim, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 6 milionë euro. Ministri i Ekologjisë, Muhamet Hoxha, tha se ky është një investim që po bëhet realitet.
“Me rregullimin e këtyre 12 kilometrave të rrugës nga fshati Bojanë deri në Glumovë, ne mbrojmë drejtpërdrejt shtëpitë, pronat dhe tokën bujqësore të mijëra qytetarëve të kësaj ane. Ajo që është më e rëndësishme është se po i japim fund ndotjes dhe po i eliminojmë rreziqet për shëndetin e njerëzve gjatë periudhës së verës. Qytetarët e Sarajit meritojnë një mjedis jetësor të pastër dhe një jetë më të sigurt.”, - theksoi ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria vazhdon të mbështesë projektet infrastrukturore komunale, përmes të cilave do të përmirësohet jeta e përditshme e banorëve.
“Ky është një projekt kapital me rëndësi jetike, që ka për qëllim të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve, të cilët praktikisht të ardhmen e tyre e ndërtojnë pikërisht këtu, pranë këtij projekti. Njëkohësisht, për këtë projekt dua ta falënderoj edhe kryetarin e Komunës së Çairit dhe bashkëkryetarin e VLEN-it, i cili kur ishte ministër i Mjedisit Jetësor e nisi këtë projekt që sot po bëhet realitet.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Punimet ndërtimore për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë zyrtarisht kanë filluar më 7 korrik dhe priten të përfundojnë deri në vitin 2029.
REXHEP QAMILI
