Botërori 2026, Argjentina në finale përballet me Spanjën

16.07.2026 18:52

Anglia kaloi në epërsi me golin e Anthony Gordon në minutën e 55-të dhe e mbajti avantazhin deri në minutën e 85-të....

Anglia kaloi në epërsi me golin e Anthony Gordon në minutën e 55-të dhe e mbajti avantazhin deri në minutën e 85-të. Megjithatë, për herë të dytë në historinë e saj nuk arriti të sigurojë finalen, pasi  Argjentina përmbysi rezultatin. Enzo Fernández barazoi në minutën e 85-të, ndërsa Lautaro Martínez shënoi golin e fitores në minutën e 92-të për rezultatin përfundimtar 2:1. Të dy asistimet i regjistroi Lionel Messi. Argjentina tani do të ketë mundësinë të mbrojë titullin e fituar katër vjet më parë, kur në finale mposhti Francën. Njëkohësisht do të synojë titullin e katërt kampion bote, ndërsa në histori ka humbur tri finale.
 
"Jam jashtëzakonisht i lumtur. Ky është një emocion që nuk përshkruhet me fjalë. Jam krenar për lojtarët dhe për të gjithë argjentinasit. Ndoshta ende nuk e kuptojmë plotësisht atë që kemi arritur. Lojtarët vazhdojnë të më mahnitin. Janë të jashtëzakonshëm. Nuk besoj se jam arrogant kur them se ky grup është unik, ndërsa tifozët tanë janë të mrekullueshëm. Në finale do të japim gjithçka për të fituar. Ta mbrojmë titullin për herë të dytë radhazi do të ishte diçka e pabesueshme.", tha Lionel Scaloni, trajner i Argjentinës.
 
"Rrugëtimi ynë përfundon këtu. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer sepse ishim shumë pranë finales. Pas golit u bëmë tepër pasivë dhe u lejuam kundërshtarëve shumë krosime dhe raste. Marr përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi në fushë. Nuk pendohem për asgjë. Ekipi dha gjithçka nga vetja, ishim shumë pranë dhe e merituam epërsinë 1:0. Kjo ishte një nga ndeshjet tona më të mira.", tha Thomas Tuchel, trajner i Anglisë.
 
Argjentina dhe Spanja do të përballen në finalen që do të zhvillohet në Neë Jersey. Do të jetë hera e parë që kampionia në fuqi e botës do të luajë kundër kampiones në fuqi të Evropës. Gjithashtu, për herë të parë në një finale do të takohen dy kombëtaret e para në renditjen e FIFA-s: Argjentina si numri një dhe Spanja si numri dy. Në historinë e Kampionateve Botërore, vetëm Italia (1934 dhe 1938) dhe Brazili (1958 dhe 1962) kanë arritur ta mbrojnë titullin e kampionit të botës. (Gazetar: Safet Ademi)