Kryetari i Komunës së Gostivarit: Nuk ka dëshmi se uji është shkaktari i problemeve
Pas rritjes së numrit të pacientëve me probleme gastrointestinale...

Pas rritjes së numrit të pacientëve me probleme gastrointestinale, Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare, ndërsa institucionet vazhdojnë hetimet për të zbuluar shkakun.
Sipas tij, analizat e rregullta të kryera nga NP "Komunalec" kanë treguar se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj.
Ai ka reaguar edhe ndaj pretendimeve për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, duke theksuar se, sipas informacioneve nga NP "Komunalec", në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet kanalizimi.
Limani thekson se për momentin nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike se shqetësimet e raportuara në lukth janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit.
"Deri në publikimin e rezultateve zyrtare, me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit. Apeloj që kjo masë të respektohet plotësisht. Ajo është parandaluese dhe është vendosur për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Lidhur me pretendimet se ka pasur përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, informacionet nga NP "Komunalec" tregojnë se në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet i kanalizimit. Megjithatë, të gjitha pretendimet janë objekt verifikimi dhe vlerësimin përfundimtar do ta japin ekskluzivisht institucionet kompetente."
Mickoski: Po zbardhet rasti, do të ketë përgjegjësi
Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se të gjitha institucionet kompetente janë të përfshira aktivisht në zbardhjen e rastit dhe se do të ketë përgjegjësi nëse konstatohen lëshime.
Ai e vlerësoi si tronditëse faktin që, sipas tij, dikush mund të ketë vepruar në mënyrë kaq të papërgjegjshme, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
“Në këtë moment të gjitha institucionet janë në terren, po ndërmerren masa, po analizohen mostrat e ujit dhe kemi një proces që po udhëhiqet edhe nga Prokuroria. Besoj se shumë shpejt do të dalim me informacion se çfarë ka ndodhur, kush e ka dhënë urdhrin për këtë dhe, natyrisht, do të ketë përgjegjësi.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
LSDM: Nuk kemi përgjegjësi, s’kemi udhëhequr me Gostivarin
Ndërkohë LSDM ka reaguar ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së lidhur me problemet me ujin në Gostivar, duke theksuar se partia asnjëherë nuk ka qenë në pushtet në këtë komunë dhe, sipas tyre, nuk mund të mbahet përgjegjëse për gjendjen me furnizimin me ujë.
“Ata sillen sikur janë në opozitë, kërkojnë përgjigje nga opozita dhe e fajësojnë atë për gjithçka që nuk funksionon në shtet madje edhe për çështje në komuna ku LSDM-ja nuk ka qeverisur asnjëherë.Qytetarët tashmë janë mësuar me këtë "amnezi" të VMRO-së.", thonë nga LSDM.
Lidhur me rritjen e numrit të pacientëve me probleme gastrointestinale në Gostivar Prokuroria Publike e Gostivarit ka filluar hetimet. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
