Ndërtimi i kanalizimit në Zajaz, VLEN: BDI-ja heshti për fondet evropiane

18.07.2026 19:19

Problemi me projektin e kanalizimit Zajaz–Dugovë...

Problemi me projektin e kanalizimit Zajaz–Dugovë vazhdon të jetë objekt i përplasjeve politike. VLEN akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për heshtje lidhur me projektin, i cili financohej me fonde të Bashkimit Evropian dhe duhej të përfundonte gjatë vitit 2024.

Sipas tyre, për tre mandate radhazi BDI ka udhëhequr Komunën e Kërçovës, ndërsa projekti me vlerë mbi nëntë milionë euro nuk është realizuar, duke lënë banorët pa rrjet kanalizimi.

“Që kur u shpalos skandali me kanalizimin në Kërçovë, nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga BDI-ja. Për tre mandate radhazi, kjo parti e kishte në dorë Komunën e Kërçovës. Pikërisht gjatë qeverisjes së saj, projekti me vlerë prej mbi nëntë milionë euro, i financuar me para të Bashkimit Evropian, duhej të përfundonte në vitin 2024.Siç dihet, paratë janë dhënë, afatet kanë kaluar, ndërsa banorët kanë mbetur me gropa septike”. – tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Nga VLEN thonë se mungesa e reagimit nga drejtuesit aktualë dhe ish-zyrtarët e BDI-së vetëm sa shton dyshimet për mënyrën e menaxhimit të fondeve evropiane.

Ata akuzojnë se, pavarësisht retorikës për integrimet evropiane, nuk është dhënë asnjë shpjegim publik për fatin e mjeteve të destinuara për këtë projekt.

“Nëntë milionë euro nuk janë pak para që të mos dihet ku kanë përfunduar. Janë para të taksapaguesve evropianë, të destinuara për kanalizim dhe kushte elementare për banorët.BDI-ja mund të bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë, por heshtja nuk e mbyll skandalin. Përkundrazi, çdo ditë pa përgjigje vetëm sa e forcon dyshimin se dëshiron që ky skandal dhe ky turp të harrohen”. – u shpreh Driton Sulejmani nga VLEN.

Koalicioni VLEN vlerëson se projekti i papërfunduar ka lënë pasoja të drejtpërdrejta për banorët e rajonit të Zajazit dhe kërkon përgjegjësi për realizimin e tij. Nga kjo parti theksojnë se nuk do të lejojnë që rasti të harrohet dhe premtojnë se projekti i kanalizimit Zajaz–Dugovë do të përfundojë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)