Botërori 2026, Spanja kampione e botës me rekorde të reja
20.07.2026 11:16
Kombëtarja e Spanjës është shpallur kampione e re e Botës...

Kombëtarja e Spanjës është kampione e re e botës. Në finalen e Kupës së Botës 2026, spanjollët mposhtën Argjentinën me rezultat 1:0 pas vazhdimeve, ndërsa golin vendimtar e realizoi Ferran Torres në minutën e 106-të. Spanja dominoi gjatë gjithë ndeshjes dhe me meritë të plotë arriti deri te titulli. Argjentina nuk regjistroi asnjë goditje në portën spanjolle deri në minutat e fundit të vazhdimeve. Kështu
"La Roja" zgjati serinë pa humbje në 38 ndeshje zyrtare radhazi. Që nga humbja 0:1 ndaj Kolumbisë në një miqësore në mars të vitit 2024, Spanja ka regjistruar 29 fitore dhe 9 barazime. Nga ana tjetër Argjentina nuk arriti të mbrojë titullin e fituar në Katar më 2022, ndërsa Spanja u rikthye në fronin botëror pas suksesit të vitit 2010.
Rodri futbollisti më i mirë i botërorit
Pas finales u ndanë edhe çmimet individuale të Kampionatit Botëror, i cili u zhvillua gjatë 39 ditëve në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Mesfushori spanjoll, Rodri, u shpall futbollisti më i mirë i turneut. Po ashtu edhe dy çmime të tjera shkuan për spanjollët: Unai Simon u shpall portieri më i mirë, ndërsa Pau Cubarsi fitoi çmimin si lojtari më i mirë i ri. "Këpuca e Artë" për golashënuesin më të mirë i takoi sulmuesit francez Kylian Mbappe, i cili e mbylli Botërorin me 10 gola.
Messi me rekord të ri
Lionel Messi u bë futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e Kampionateve Botërore, duke regjistruar 34 ndeshje në gjashtë edicione të Kupës së Botës. Kapiteni argjentinas shënoi gjithsej 21 gola në Botërorë, ndërsa vetëm Kylian Mbappe ka realizuar më shumë, me 22 gola. Në vendin e dytë për numrin e paraqitjeve renditet Cristiano Ronaldo, i cili ka zhvilluar 27 ndeshje në gjashtë Kampionate Botërore. (Gazetar: Safet Ademi)
