Qeveria ul akcizat për benzinën dhe naftën
Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, masa do të ndikojë që rritja e çmimeve të derivateve të jetë më e vogël krahasuar me çmimet që do të formoheshin pa këtë ndërhyrje...

Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, masa do të ndikojë që rritja e çmimeve të derivateve të jetë më e vogël krahasuar me çmimet që do të formoheshin pa këtë ndërhyrje.
– Gjatë periudhës së fundit është evidentuar një mesatare e lartë e çmimeve të naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj në tregjet botërore. Qeveria po e ndjek vazhdimisht situatën, kryen analiza të përditshme të lëvizjeve të çmimeve dhe mbetet plotësisht e përkushtuar për ndërmarrjen e masave në kohë dhe aktive, me qëllim zbutjen e presionit ndaj qytetarëve dhe ekonomisë – thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Me vendimin për uljen e akcizave, siç theksohet më tej, do të amortizohet një pjesë e rritjes së çmimeve.
– Pa këtë ndërhyrje të Qeverisë, sipas përllogaritjeve, çmimi me pakicë i benzinës do të ishte rritur për rreth 4 denarë për litër, ndërsa me këtë masë pritet të rritet për rreth 3 denarë për litër. Sa i përket naftës, pa vendimin e Qeverisë çmimi do të ishte rritur për rreth 8 denarë për litër, ndërsa me akcizën e ulur pritet një rritje prej rreth 6 denarësh për litër – shtojnë nga Qeveria.
Qeveria pret që Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRrE), në përputhje me kompetencat e tij ligjore, të miratojë vendimin për çmimet e reja me pakicë të derivateve, ndërsa efektet e kësaj mase do të bëjnë që qytetarët të paguajnë çmime më të ulëta sesa do të ishin pa këtë ndërhyrje.
– Prioritet i Qeverisë mbetet mbrojtja e standardit të qytetarëve, ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe reagimi në kohë në kushte të paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Edhe në periudhën e ardhshme do të ndiqen me kujdes të gjitha lëvizjet e çmimeve dhe, nëse rrethanat e kërkojnë, do të shqyrtohen edhe masa shtesë në interes të qytetarëve dhe ekonomisë – theksojnë nga Qeveria.
