Epidemia në Gostivar, VLEN-i kërkon përgjegjësi për helmimet

21.07.2026 14:46

Partitë politike këmbëngulin në zbardhjen e plotë të helmimeve në Gostivar...

Partitë politike këmbëngulin në zbardhjen e plotë të helmimeve në Gostivar. VLEN-i fton autoritetet për llogaridhënie të cilido person që mbart faj, me qëllim që fajtorët të mos mbeten pa u ndëshkuar sikurse në të kaluarën.

“Kushdo që, me veprim ose mosveprim, ka kontribuar në këtë skandal, duhet të përgjigjet para drejtësisë. Shëndeti i mijëra qytetarëve të Gostivarit është cenuar si pasojë e neglizhencës dhe keqqeverisjes, ndërsa kjo nuk guxon të kalojë pa përgjegjësi, siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Presim një hetim të thellë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, që do ta zbardhë plotësisht rastin.”, thonë nga VLEN.

VMRO kërkon dorëheqjen e Limanit

Sikurse VLEN-i, por edhe VMRO – DPMNE-ja konsiderojnë se situata kritike me ujin është si pasojë e qeverisjes së keqe lokale.

Nga VMRO – DPMNE kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, por edhe ndërhyrjen e Prokurorisë.

“Me çfarë fytyre shfaqet ai para bashkëqytetarëve të tij dhe pa turp pretendon se nuk është përgjegjës për gabimet e njerëzve që ai emëroi për të drejtuar ndërmarrjet komunale? Ndryshe nga Valbon Limani, Lupço Papazov nga Koçani dha menjëherë dorëheqjen si kryetar komune pas zjarrit në objektin "Puls". Pse nuk ka asnjë dënim apo kërkesë për llogaridhënie nga LSD, BDI dhe Taravari? A mendojnë ata se duhet ta mbrojnë atë thjesht sepse është kandidati i tyre? Apo besojnë se sikurse për incidentin e spitalit modular faji i mbeti kabllos, këtë herë duhet të fajësohet pompa?”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.

Filipçe: Të publikohen rezultatet

Socialdemokratët ishin në mesin e banorëve për t’u ndihmuar dhe kuptuar më shumë nga situata. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, thotë se hetimi duhet të jetë transparent dhe të bëhen kontrolle të rregullta të ujit për parandalimin e një katastrofe më të madhe, helmim me ushqim.

Sipas tij, askush nuk mund të garantojë se uji nuk përdoret për gatim apo pastrim.

“Nëse ushqimi nuk pastrohet, nuk trajtohet siç duhet, do të ketë helmim me ushqim. Sëmundja e duarve të papastra është hepatit A. Nëse tani sërish shfrytëzohet ujë i papërshtatshëm ka rrezik nga sëmundje e re, epidemi e re. Këto janë pyetje me karakter dhe interes publik. Nuk mund që Ministria e Shëndetësisë, ministri, kryeministri të heshtin për këto çështje. Do të duhet që publikisht të shpalosin rezultatet e kontrollit dhe gjitha parametrat e ujit, si kanë qenë, në cilat ditë, kjo nuk e dëmton hetimin, ashtu sikurse dëshirojnë të arsyetohen.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Ditën e shpërthimit të helmimeve zinxhir, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përkohësisht përdorimin e ujit për pije nga ujësjellësi i Gostivarit, pas dyshimeve se uji mund të jetë i ndotur dhe i pasigurt për konsum. Ndalimi mbetet në fuqi deri në shpalljen e rezultateve. (Meral Ismaili, TVM2)