Pasojat nga stuhia, 12 mijë thirrje për ndihmë, të lënduar dhe dëme të mëdha
Drunj të rrëzuar, kulme dhe automjete të dëmtuara...

Drunj të rrëzuar, kulme dhe automjete të dëmtuara, persona të lënduar, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pasoja të tjera janë fotografia e mbrëmjes së djeshme nga stuhia e fuqishme që mbrëmë përfshiu Shkupin dhe shumë zona të tjera të vendit.
“Pasojat më të mëdha janë regjistruar në territorin e SPB Shkup, ku deri në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme janë evidentuar 117 automjete të dëmtuara, 35 kulme të dëmtuara, 189 drunj të rrëzuar, 7 semaforë të dëmtuar, 5 zjarre dhe 10 persona të lënduar.”, thanë nga MPB.
Situata u pasqyrua edhe në numrin rekord të thirrjeve emergjente. Mbi 12 mijë qytetarë kërkuan ndihmë përmes numrit 112, numër rekord sipas drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
“Pas stuhisë së madhe që dje përfshiu disa rajone të vendit në numrin për thirrje emergjente 112 u regjistruan mbi 12 mijë thirrje rekorde nga qytetarët. Të gjitha thirrjet u procesuan dhe u përcollën te institucionet kompetente, me qëllim që të ndërmerren masa për sanimin e dëmeve.”, - deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
Pas stuhisë në Shkup, 33 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mes tyre edhe një turist. Shumica kanë pësuar fraktura, ndërsa tre pacientë kanë lëndime më serioze dhe po trajtohen në Qendrën Klinike.
"Në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, përkatësisht në TOARILUC, janë trajtuar 11 persona të lënduar nga stuhia e mbrëmshme. Tre prej tyre kanë pësuar fraktura më serioze dhe po trajtohen në mënyrë përkatëse në klinikë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Stuhia e djeshme shkaktoi dëme të mëdha edhe në rrjetin elektroenergjetik. Për shkak të dëmtimeve dhe rrëzimit të disa qindra shtyllave, pa energji mbetën 2.308 trafostacione të Elektrodistribucionit. EVN-ja njoftoi se ekipet në terren kanë sanuar rreth 90 për qind të defekteve.
“Aktualisht në nivel vendi rreth 300 trafostacione ende janë pa furnizim me energji elektrike, për shkak të dëmtimeve dhe qasjes së vështirësuar nga bimësia e rrëzuar. Ekipet në terren po punojnë intensivisht dhe ndërhyrjet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të gjendjes.”, thanë nga EVN.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftoi se gjatë motit të ligë të djeshëm, në Shkup janë regjistruar goditje të erës me shpejtësi deri në 130 km/orë. E njëjta shpejtësi është regjistruar edhe në Novo Sellë të Strumicës. Ndërkohë informuan edhe për motin gjatë ditës së sotme.
"Sot pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Në disa zona do të ketë mot jostabil, i shoqëruar me reshje lokale të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erë të përforcuar dhe kushte për paraqitje të breshrit.", thanë nga DPHM.
Kryeministri Mickoski tha se dëmet do të evidentohen dhe do të kompensohen nga institucionet përgjegjëse.
“Qeveria asnjëherë nuk i ka lënë qytetarët të përballen të vetëm me situata të tilla, tha kryeministri, duke falënderuar institucionet dhe kryetarët e komunave që menjëherë pas stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin dolën në terren dhe punuan për sanimin e dëmeve. Ekipet do të vazhdojnë punën edhe sot, ndërsa dëmet do të evidentohen dhe, sipas ligjit dhe praktikave të mëparshme, do të kompensohen nga institucionet përgjegjëse.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Pas stuhisë që la pas dëme të mëdha, institucionet vazhdojnë ndërhyrjet për kthimin e gjendjes në normalitet, ndërsa bilanci përfundimtar i dëmeve pritet të bëhet pas përfundimit të plotë të vlerësimeve në terren. (Armend Murseli, TVM2)
