Ndotja e ujit në Gostivar, Pushteti shënjestron Taravarin

23.07.2026 14:27

VMRO-DPMNE drejtoi një sërë kritikash ndaj LSDM-së, BDI-së dhe Arben Taravarit...

VMRO-DPMNE drejtoi një sërë kritikash ndaj LSDM-së, BDI-së dhe Arben Taravarit lidhur me problemet e furnizimit me ujë të pijshëm në Gostivar.

Nga kjo parti thonë se qytetarët meritojnë të mësojnë të vërtetën e plotë ku të gjithë përgjegjësit do të japin llogari.

Sipas VMRO-DPMNE-së, sa herë që bëhet fjalë për përgjegjësi, LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari zbatojnë standarde të dyfishta dhe shmangen nga përgjegjësia.

"LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari edhe njëherë treguan se kanë standarde të dyfishta. Kur kryetari i tyre i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, thotë se nuk ndien asnjë përgjegjësi për skandalin me ujin, ata nuk thonë as edhe një fjalë. Po të njëjtët që çdo ditë flasin për përgjegjësi dhe kërkojnë dorëheqje, sot heshtin dhe e mbrojnë kandidatin e tyre. Është e qartë se për LSDM-në, BDI-në dhe Taravarin, parimet vlejnë vetëm kur duhet të sulmojnë një kundërshtar politik. Kur bëhet fjalë për funksionarët e tyre, atëherë nuk ka as përgjegjësi, as moral dhe as dorëheqje.", - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Për ndotjen e ujit reagoi edhe VLEN-i, duke kritikuar Arben Taravarin se nuk i realizoi premtimet e dhëna gjatë mandatit të tij si kryetar i Gostivarit.

Nga kjo parti rikujtojnë se Taravari dikur akuzonte udhëheqësinë e mëparshme për neglizhencë, ndërsa vetë premtonte zgjidhje të problemit për "100 vitet e ardhshme". Tani kërkojnë përgjigje se ku përfunduan donacionet e huaja të destinuara për këtë çështje.

“Sot kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, Taravari jo që nuk ka përmbushur ndonjë nga premtimet, por nuk jep asnjë përgjegjësi politike. Dy rezervuarët gjigant që i premtoi po ashtu në vitin 2022 për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, një donacion nga Zvicra, as kjo nuk u bë. Pyetja është, ku u avulluan 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra?”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Filipçe: Joefikasitet sistematik institucional

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, ajo që ndodhi në Gostivar është dëshmi e joefikasitetit sistematik institucional në menaxhimin e institucioneve.

Filipçe tha se vendi nuk mban mend kuadër më joadekuat që ka drejtuar institucionet më të larta shëndetësore. Filipçe zbuloi një dokument të marrë nga informatorët, sipas të cilit, në ujin e Spitalit të specializuar për sëmundje pulmonare dhe tuberkuloz në Leshok janë gjetur 51 baktere koliforme për 100 mililitra ujë.

Për këtë arsye, ai kërkoi përgjegjësi dhe dorëheqje politike nga bartësit e funksioneve në pushtet.

"Ajo që ndodhi në Gostivar është një nga treguesit se deri ku ka arritur ky degradim sistematik i shtetit. Ndotja e ujit ka filluar që në fund të muajit qershor, ndërsa imagjinoni, askush nuk ka reaguar. I lanë qytetarët e Gostivarit të pinin ujë të ndotur, ndërsa institucionet heshtën për javë të tëra. Jo vetëm që heshtën, por e shpallën ujin të rregullt për konsum. A ka fund kjo çmenduri? Kush janë këta njerëz që e drejtojnë shtetin dhe a e dinë se çfarë po bëjnë? E gjithë kjo tregon se mekanizmat e kontrollit në shtet, konkretisht brenda sistemit shëndetësor, nuk funksionojnë.", - theksoi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mickoski garanton zgjidhje të shpejtë

Pas kritikave për mënyrën e menaxhimit të krizës me ujin në Gostivar, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se situata po monitorohet nga afër nga institucionet.

Sipas tij, ekipet e Ujësjellësit të Shkupit dhe ekspertët tashmë janë angazhuar, ndërsa normalizimi i plotë i gjendjes pritet në ditët në vijim.

“Duke qenë se janë përfshirë edhe ekipet e Ujësjellësit të Shkupit dhe ekspertë, nëse gjithçka shkon siç duhet, pres që deri në fund të kësaj jave të kemi ujë teknikisht të rregullt në Gostivar. Tani duhet të bëhet pastrimi i plotë i sistemit, në mënyrë që të kemi ujë me nivele normale të klorit, i cili do të jetë i përshtatshëm për përdorim teknik. Ndërsa, sipas planit, pritet që nga fundi i javës së ardhshme uji në Gostivar të jetë i sigurt edhe për pirje.", - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Qytetarët presin rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm. Ndërkohë, përtej përplasjeve politike, mbetet pritja që hetimet e PThP-së të zbardhin tërësisht rastin dhe të japin përgjigje për përgjegjësinë institucionale. (Rexhep Qamili, TVM2)