Dëmet nga stuhia, Mickoski: Do të ketë dëmshpërblim

23.07.2026 15:05

Të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme materiale...

Të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme materiale nga erërat e forta dhe shiu që mbizotëroi gjatë ditës së martë në Shkup, por edhe në vendet tjera, janë të obliguar që të gjitha këto dëme t’i lajmërojnë deri tek organet lokale, me çfarë do të bëhet përllogaritja e tyre dhe në fund Qeveria do t’i dëmshpërblejë, kështu u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

“Sa i përket dëmshpërblimit të qytetarëve të cilët kanë pësuar dëme nga moti i lig që ndodhi në vendin tonë, mund të them se komunat dhe institucionet nën kompetencën e komunave kanë formuar komisione, dhe qytetarët të cilët kanë pësuar dëme materiale duhet t’i lajmërojnë këto dëme tek këto komisione lokale. Pastaj, komisioni i bënë vlerësimin dhe përmes Komitetit për vlerësimin e dëmeve do t’i dorëzojnë deri tek Qeveria. Në përputhje me ligjin do të intervenojmë dhe do t’i dëmshpërblejmë ato qytetarët të cilët kanë lajmëruar dëmin. Nga këtu dua t’i apeloj të gjithë qytetarët të cilët kanë dëme t’i paraqesin ato, të dalë komisioni ta bëjë vlerësimin dhe ne si Qeveri të marrim specifikimin e nevojshëm për dëmet e shkaktuara.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Mexhiti: Qyteti dhe komuna do t’i ndihmojnë qytetarët

Edhe pse përshtypja e opinionit publik ishte se Komuna e Çairit është komuna, e cila ka pësuar më së shumti dëme nga ky mot i lig, kryetari i kësaj komune, Izet Mexhiti, ka theksuar se Komuna e Çairit ka pësuar dëme, por jo sa komunat tjera si Karposhi, Qendra, Aerodromi, por pa marrë parasysh sasinë e dëmeve, Mexhiti theksoi se qytetarët do të dëmshpërblehen.

“Çairi nëse krahasohet me komunat tjera të Shkupit, nuk mund të them se është komuna më e dëmtuar. Ka komuna shumë më të dëmtuara, si Karposhi, Qendra, Aerodromi. Në tre ndërtesa ka pasur rrezik se gjysma e kulmit ka rënë, ndërsa gjysma tjetër ishte duke rënë. Këtu kanë vepruar zjarrfikësit, pra po sanohet situata me drunjtë që kanë rënë. Po ashtu kemi formuar edhe Komisionin për vlerësimin e dëmeve në Komunën e Çairit. Dje kemi pasur edhe mbledhje koordinative me kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe të gjitha komunat tjera të qytetit, ku kemi dal me një qëndrim unanim, ku së bashku qyteti dhe komuna do t’u ndihmojnë qytetarëve për sanimin e dëmeve.”, - theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Moti i ligë dhe stuhia e fuqishme, e cila ishte nën qiellin tonë gjatë ditës së martë, u ka shkaktuar dëme materiale qytetarëve edhe në komunat e Pollogut, ku kryetarët e këtyre komunave kanë realizuar një takim të përbashkët për ta analizuar situatën. Po ashtu edhe bujqit e shumë qyteteve kanë paraqitur dëme të konsiderueshme të të mbjellave të tyre, ku presin që të dëmshpërblehen nga institucionet e vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)