Ndotja e ujit në Gostivar, hetohet periudha kritike, vijon ndalesa për pije

23.07.2026 15:41

Situata me cilësinë e ujit në Gostivar mbetet kritike...

Situata me cilësinë e ujit në Gostivar mbetet kritike, ndërsa uji nga ujësjellësi i qytetit vazhdon të jetë kategorikisht i ndaluar për përdorim. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se po zhvillohen hetime për të sqaruar nëse midis 29 qershorit dhe 13 korrikut institucionet përgjegjëse kanë pasur informacione se uji nuk ka qenë i sigurt për pije dhe pse është dhënë rekomandim për përdorimin e tij.

“Ka disa rezultate pozitive që janë pasojë e ndotjes fekale baktere ose që mund të jenë rezultat i ndotjes nga ujërat atmosferikë, dhe depërtimit të ujërave atmosferikë. Pra, ka dy lloje agjentësh, si baktere ashtu edhe viruse. Të parat që janë tipike për depërtimin fekal në rrjetin e ujësjellësit, dhe të dytat që janë tipike për ndotjen e burimit nga ujërat atmosferikë ose ndikimet nga mjedisi rrethues i burimit.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ndërkohë, fluksi i pacientëve me simptoma helmimi ka pësuar një stagnim. Sot janë regjistruar rreth 200 paraqitje të reja, ndërsa zyrtarët shëndetësorë apelojnë për kujdes të vazhdueshëm.

Nga Komuna e Gostivarit njoftojnë se Shtabi i Krizës po punojnë intensivisht në terren për normalizimin e gjendjes së sistemit të ujësjellësit.

“I ftojmë qytetarët, që, lidhur me ecurinë e procesit, të informohen vetëm përmes njoftimeve zyrtare të institucioneve kompetente dhe të mos përhapin apo të mos mbështeten në informacione të rreme që qarkullojnë në rrjetet sociale. Për çdo zhvillim të ri, qytetarët do të informohen me kohë, si për analizat dhe rezultatet e cilësisë së ujit, ashtu edhe për gjendjen e sistemit të ujësjellësit.”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

Ndërkohë, Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë kryer 70 kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në rajonin e Gostivarit, gjatë të cilave është konstatuar se operatorët ushqimorë e kanë respektuar ndalimin për përdorimin e ujit nga sistemi publik i furnizimit me ujë të qytetit.

Njëkohësisht, inspektorët kanë konstatuar edhe një sërë parregullsish, për të cilat janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 7.750 eurosh në kundërvlerë me denarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)