Kulturë, hapet festivali ndërkombëtar “Çarshia”
Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Han dhe Kurshumli Han...

Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Han dhe Kurshumli Han do të shndërrohen në skena të muzikës klasike, operës, flamengos dhe serenatës korçare.
Programi i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, i organizuar nga Komuna e Çairit, u prezantua në një konferencë për shtyp. Të gjitha mbrëmjet fillojnë në orën 20:30, ndërsa hyrja për publikun është e lirë.
I konceptuar si një platformë e re dhe e vazhdueshme kulturore, Festivali “Çarshia” synon ta bashkojë muzikën me trashëgiminë historike të Çarshisë së Vjetër. Organizatorët paralajmëruan se edicioni i parë është vetëm fillimi i një ngjarjeje që synon të zërë vend të përhershëm në kalendarin kulturor të Shkupit.
Sipas kryetarit të Komunës së Çairit, përzgjedhja e Suli Hanit dhe Kurshumli Hanit nuk është e rastësishme, ndërsa festivali synon të rritet nga viti në vit në cilësi dhe përmbajtje.
“Qëllimi ynë është që ky festival të zhvillohet në një platformë të qëndrueshme, që nga viti në vit do të rritet në cilësi dhe përmbajtje, do të tërheqë artistë dhe vizitorë nga rajoni dhe më gjerë do të pasurojë ofertën kulturore të Shkupit. Ne besojmë se investimi në kulturë është po aq i rëndësishëm sa investimi në çdo fushë tjetër të zhvillimit të qytetit.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Këtë festival e vlerësoi edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, duke e vendosur në një kontekst më të gjerë kulturor, ai lidhi Çarshinë me festivalin “Vera Tetovare”, si dy ngjarje që synojnë promovimin e kulturës shqiptare dhe se festivali në Çarshinë e Vjetër të Shkupit i jep ngjarjes një domethënie të veçantë, duke lidhur trashëgiminë kulturore në krijimtarinë bashkëkohore.
“Unë si ministër i Kulturës dhe Turizmit do të jem gjithmonë në përkrahje të iniciativave të Qeverisë dhe shpresoj që gjithmonë bashkërisht do të korrim suksese të mëdha. Tani më Komuna e Tetovës me festivalin e saj “Vera Tetovare” dhe Komuna e Çairit me festivalin “Çarshia” janë dy komuna të rëndësishme për shqiptarët dhe do të kemi dy festivale të mëdha që do të promovojmë kulturën shqiptare.”, - theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Drejtoresha artistike, diva soprano Inva Mula, cilësoi hapjen e festivalit si një dëshmi të fuqisë së artit për të krijuar bashkëpunim, ndërsa theksoi se program është menduar të afrojë publikun përmes zhanreve dhe kulturave të ndryshme.
“Imagjinoni të hapet një festival në ditët e sotme. Ne me këtë festival hapim një rrugë të re të artit të dijes, të bashkëpunimit dhe të paqes. Sot muzika duhet të jetë shumë demokratike, duhet t’i hapë dyert, duhet që njerëzit t’i afrohen dhe të mos ketë barriera kulturore. Çdo njeri duhet të gjejë veten. Ky festival bëhet një burim i bukur komunikimi mes gjuhëve dhe arti e ka këtë fuqi.”, - deklaroi drejtoresha artistike e Festivalit “Çarshia”, Inva Mula.
“Festivali ishte një ide që e kishim diskutuar me Invën edhe më parë. Pas koncertit të 28 Nëntorit në Shkup, këtë ia prezantuam kryetarit. Në prill të këtij viti u takuam dhe vendosëm që festivali të realizohej.”, - u shpreh drejtoresha artistike e Festivalit “Çarshia”, Dëshira Ahmeti.
Më 25 korrik, mbrëmja gala “Inva Mula & Friends” do të sjellë në Kurshumli Han artistë nga vendi dhe skena ndërkombëtare, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Shkupit – AYGA, nën drejtimin e dirigjentit Ivan Eminoviq.
Mysafir i veçantë do të jetë edhe Kori i Fëmijëve “Okarina” nga Kosova, nën drejtimin e Elikona Hysaj Shalës.
Festivali do të përmbyllet më 26 korrik në Suli Han me programin “Kujtimet e Rinisë”, kushtuar serenatës korçare, me interpretues Zhani Suliotin, Erika Ahmetin, Pirro Vison, Nuçielin dhe Ilia Dokon, si dhe Kosta Zdrulin. (Ardita Imeri Ramadani, TVM2)
