Rikonstruimi i Qeverisë, Zylfiqar Zejnulla zgjidhet ministër pa resor
Kuvendi zgjodhi kryetarin e Partisë Demokratike të Turqve, Zylfiqar Zejnulla...

Kuvendi zgjodhi kryetarin e Partisë Demokratike të Turqve, Zylfiqar Zejnulla, ministër pa resor. Me këtë u përmbyll rikonstruimi i Qeverisë. Megjithatë zgjedhja e tij nuk kaloi pa përplasje midis pushtetit dhe opozitës.
Shkas për këtë ishte fjalimi i kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili gjatë paraqitjes së këtij propozimi theksoi se kjo qeveri, me shembujt e tillë, po tregon se po sjellë politika të bashkimit dhe të Unifikimit dhe jo të ndarjeve.
“Në këtë po shihet pjekuria e kësaj qeverie, t’i hapë institucionet për të gjithë ata të cilët kanë dijen dhe kapacitetin, por edhe qëllimin e sinqertë që të japin kontributin e tyre, të mos pyet se kush nga ku po vjen, por të pyet se çka dinë më së miri të bëjnë. Sot më shumë se kurdoherë na nevojitet politikë, e cila na bashkon, dhe jo politika të cilat hapin llogore, jo politika të cilat i ndajnë qytetarët në tanë dhe tuajt, dhe jo politika që nxisin konflikte për pikë politike. Shteti nuk ndërtohet me ndarje, por me besim, me punë dhe me institucione funksionale.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Por, nga LSDM-ja theksuan se ky vendim i Qeverisë nuk është kurrfarë vizioni, por vetëm luftë për pozita.
“Absolutisht nuk pajtohem dhe nuk dua të besoj se flitet për ndonjë vizion, por thjesht luftë për karrige dhe pozita. Nëse i shikojmë rezultatet, ato tregojnë se ne vazhdimisht kemi kalkulime dhe pazarllëqe për koalicionim, prandaj pyes se zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike të Turqve, a thua çka mund të ndihmojë.”, - theksoi Oliver Spasovski nga LSDM.
Por, sipas deputetit Sali Murat, Zylfiqar Zejnulla duhet t’ia dorëzojë mandatin koalicionit, ku edhe e ka fituar këtë mandat.
“Ato kanë lobuar pas votuesve për një platformë tjetër, dhe nëse janë aq të fuqishëm le të japin dorëheqje nga posti i deputetit, sepse mandati i takon koalicionit dhe jo neve si individ. Për ne si turq, kjo pozitë e ministrit pa resor, është nënvlerësim dhe i turpshëm.”, - u shpreh anëtari i Lëvizjes së Turqve në Maqedoni, Sali Murat.
U kundërpërgjigj Adnan Azizi nga VLEN-i, i cili theksoi se i ka shërbyer mjaft BDI-së.
“I nderuar Sali beg, unë e kuptoj shqetësimin tuaj dhe mendova se do të flisni për CV-në dhe personalitetin e ministrit, i cili, për mendimin tim, do ta përfaqësojë etnitetin turk në mënyrë dinjitoze. E kuptoj shqetësimin tuaj se pse jeni të frustruar, për shkak se ju jeni aty ku jeni në shtegtimin tuaj privat si një turist që vini pa parti, pa “backgraund”, pa votues dhe në emrin e etnitetit turk u futët në listën e koalicionit AKI, dhe për këtë nuk e di se çfarë shërbimi i keni bërë BDI-së, dhe çfarë është ajo që vazhdoni t’i shërbeni.”, - theksoi Adnan Azizi nga VLEN.
Në fund me 67 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim, të përzgjedhurit e popullit votuan që Zulfijar Zejnula, të jetë ministër i ri pa resor dhe me këtë Qeveria rrumbullakësoi riformatimin e Qeverisë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
