Maqedoni

Kriza e ujit të pijshëm, LSDM e VMRO me akuza për ujin

25.07.2026 14:47

Përplasjet politike lidhur me epideminë hidrike në Gostivar po intensifikohen....

Përplasjet politike lidhur me epideminë hidrike në Gostivar po intensifikohen. LSDM-ja akuzon se vendi po përballet me një krizë të gjerë të cilësisë së ujit të pijshëm dhe fajëson Qeverinë për dështim institucional. Sipas opozitës, uji për pije aktualisht nuk është i sigurt në shtatë vendbanime, Gostivar, Vallandovë, Krushevë, Pllasnicë, Prilep, Leshok dhe Pregllovë ndërsa paralajmëron se për shkak se burimi Studençica furnizon edhe Kërçovën, Makedonski Brodin dhe Dollnenin, ekziston rreziku që edhe këto zona të përballen me ndotje të ujit.
 
“Uji tashmë nuk është i pijshëm në shtatë vendbanime në Maqedoni. Pyetja është cili qytet do të jetë i radhës. Mickoski hap pishina, ndërsa në shtatë vendbanime uji është i papërshtatshëm për pije dhe nëpër Lepenec e Vardar rrjedh shkumë e bardhë. Me Mickoskin dhe VMRO-në, gjëja më e shtrenjtë, shëndeti i njerëzve është vënë në rrezik. Kjo është një kolaps sistemik i institucioneve. Kërkojmë që pesë milionë eurot e planifikuara për festimin e Pavarësisë të ridestinohen për projekte që do të sigurojnë ujë të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët.”, - u shpreh Jon Frçkovski nga LSDM.
 
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se LSDM dhe kryetari i saj Venko Filipçe po përhapin dezinformata për të fituar pikë politike. Partia në pushtet thekson se opozita po përdor raporte të vjetra për të krijuar panik dhe se po hesht për përgjegjësinë e pushtetit lokal në Gostivar.
 
“Me qëllim të mirë i këshillojmë të reflektojnë, të ndalojnë përhapjen e gënjeshtrave dhe panikut dhe të shohin fillimisht veten. Pse? Sepse ata janë pushteti lokal në Gostivar. Në Gostivar pushtetin e kanë LSDM-ja, BDI-ja dhe Arben Taravari. Nëse qytetarët u janë vërtet të rëndësishëm, siç e përsërisin çdo ditë, le ta thërrasin kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limanin, i cili është kuadër i tyre, që të mbajë përgjegjësi, të japë dorëheqje e të ndërmerren hapat e nevojshëm.”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Polemikat mes dy partive vazhdojnë, ndërsa autoritetet shëndetësore janë ende në proces të monitorimit të cilësisë së ujit dhe të zbardhjes së plotë të shkaqeve që çuan në epideminë hidrike në Gostivar.
 
ERSAN PAJAZITI