Maqedoni
Situata në Gostivar, uji teknikisht i përdorshëm, por jo për pije
27.07.2026 14:48
Pas dy javësh pa ujë të sigurt për konsum, në Gostivar sot është rikthyer furnizimi me ujë, por vetëm për përdorim teknik....

Pas dy javësh pa ujë të sigurt për konsum, në Gostivar sot është rikthyer furnizimi me ujë, por vetëm për përdorim teknik.
Kjo do të thotë se uji që rrjedh nga çezmat ende nuk është i sigurt për t'u pirë. Në një qytet ku mbi 4 mijë persona janë prekur nga uji i ndotur, qytetarët vazhdojnë të presin përgjigje të qarta dhe të kërkojnë garanci se kur uji do të jetë plotësisht i sigurt për konsum.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se uji në Gostivar mund të përdoret për larje, por jo për pirje dhe gatim.
“Pas disa analizave të ujit kemi marrë konfirmim nga ekspertët se sipas rezultateve të testeve të kryera, uji mund të përdoret si ujë teknik. Por, dua ta përsëris, ende nuk mund të përdoret si ujë për pije apo për përgatitjen e ushqimit.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Udhëheqësi i Shtabit të Krizës në Komunën e Gostivarit, Zudi Xhelili, thotë se situata po monitorohet vazhdimisht në terren, ekipet janë në ndihmë të qytetarëve dhe pritet që brenda kësaj jave në rrjet të lëshohet edhe uji i pijshëm.
“Pak para shtabi qendror informoi opinionin se uji është në gjendje të mirë për përdorim teknik derisa për pije do të punohet ditët në vazhdim. Do të bëhet monitorim i rregullt dhe mendojmë se brenda javës do të bëhet edhe i pijshëm.”, - theksoi udhëheqësi i Shtabit të Krizës, Zudi Xhelili.
Ndërkohë, rreth 100 pacientë të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit në repartet e Infektologjisë dhe Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, me simptoma gastrointestinale si diarre, të vjella, temperaturë dhe plogështi. Përfaqësuesit e Spitalit të Përgjithshëm sot nuk pranuan të prononcohen për mediat. Megjithatë, ekipi i TVM2 evidentoi pacientë që vazhdonin të kërkonin ndihmë mjekësore. Ata thanë se simptomat dhe gjendja e tyre shëndetësore mbeten të njëjta si në ditët e kaluara. Për këtë arsye, edhe pse uji teknik është rikthyer në rrjet, shumë prej tyre thonë se nuk do ta përdorin, derisa institucionet kompetente të konfirmojnë se ai është plotësisht i sigurt për konsum.
Ndërkohë, mjekët amë në Gostivar vlerësojnë se rritja graduale e numrit të pacientëve në spital mund të lidhet edhe me faktin se gjatë fundjavës ordinancat e mjekëve amë nuk kanë punuar, duke bërë që qytetarët t'i drejtohen Spitalit të Përgjithshëm për trajtim. Mjeku amë, Ali Zendeli, për TVM2 thotë se gjatë ditëve të fundit janë përballur me një fluks të madh pacientësh, të cilët kanë kërkuar ndihmë për shkak të pasojave nga konsumimi i ujit të ndotur.
"Pacientët, flasim për 10-ditëshin e fundit, kanë qenë me numër ndoshta nga 30 apo 40 brenda ditës që i kemi trajtuar këtu. Vetëm rastet e rralla të pakta që kanë simptomatologji me të rëndë janë përcjellë për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Gostivarit. Deri më tani unë kam trajtuar me terapi orale, diku 7 apo 8 pacientë, por asnjë nuk kam dërguar në spital.", - theksoi mjeku amë, Ali Zendeli.
Simptomat e para te qytetarët janë shfaqur më 13 korrik, ndërsa deri më tani rreth 4.000 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale. Për shkak të përhapjes së rasteve dhe numrit të lartë të të prekurve, në Gostivar është shpallur gjendje epidemike. Autoritetet kompetente vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ndotjes së ujit.
REXHEP QAMILI
