Kuvend, miratohet ribalancimi i buxhetit
Ribalancimi siguron fonde shtesë për subvencione bujqësore, për transportin hekurudhor...

Me 64 vota “pro” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi sot pasdite miratoi ribalancimin e ndryshuar të projektbuxhetit për vitin 2026.
Me këtë ribalancim parashikohet një rritje ekonomike prej 3.5 %. Deficiti buxhetor parashikohet të jetë 753 milionë euro, ose 4.1 përqind e BPV-së.
Ribalancimi siguron fonde shtesë për subvencione bujqësore, për transportin hekurudhor, për mbështetje të sportit dhe një standard më të mirë jetese për nxënësit dhe studentët.
Fonde shtesë janë siguruar edhe për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, pra për asistenca sociale, kujdes shëndetësor dhe kuzhina kombëtare.
Më shumë fonde do të sigurohen edhe për investime kapitale, informoi Ministreja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Me ribalancimin e fundit, të ardhurat totale janë planifikuar në 6.17 miliardë euro, derisa shpenzimet në 6.92 miliardë euro.
Sipas qeverisë, kasa e riformësuar e shtetit do të mundësojë rritjen e vazhdueshme ekonomike. Megjithatë, për opozitën, ajo nuk bazohet në kuadër të ndonjë aktiviteti të shëndetshëm ekonomik, por thellon borxhin.
Më parë u miratuan edhe amendamentet për sigurimin e fondeve shtesë për gratë e angazhuara në aktivitete bujqësore, si dhe për krijimin e një linjë kombëtare SOS për ndihmë, dhe dy qendra strehimi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore.
