Maqedoni

Epidemia në Gostivar po qetësohet, Klekovski: Fokusin e kemi te Hepatiti A dhe E

28.07.2026 16:55

109 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore...

109 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit në Gostivar. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se numri i rasteve të reja të lidhura me epideminë nga konsumimi i ujit të ndotur është në rënie, por pavarësisht kësaj është vendosur mbikëqyrje e përforcuar për fazën pas-akute.

Sipas tij, autoritetet shëndetësore do të monitorojnë nga afër shfaqjen e sëmundjeve të tjera infektive.

“Deri sot në Gostivar ka 109 kontakte të para të reja, numri sillet nga 80 deri në 125 në katër ditët e fundit, kështu që në këtë moment nuk mund të themi se kjo situatë e rregullt, sa është e lidhur me epideminë. Për ta bërë këtë, duhet të kemi anketa epidemiologjike.", - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Klekovski tha se pas konsultimeve me Komisionin për Sëmundje Infektive, është vendosur mbikëqyrje dhe monitorim i përforcuar  për paraqitjen e Hepatitit A dhe E, si dhe të sëmundjeve të tjera infektive. Andaj, ai u bëri thirrje mjekëve dhe të gjithë institucioneve shëndetësore që të monitorojnë situatën në terren.

Në ndërkohë ditëve në vijim, për këtë qëllim, institucionet shëndetësore do të marrin udhëzime të veçanta për monitorimin e situatës, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vazhdojnë bashkëpunimin me shërbimet shëndetësore.

"Në lidhje me mbikëqyrjen e shtuar shëndetësore do të dërgohen udhëzime të përshtatshme deri te Qendra për Shëndet Publik, institucionet shëndetësore, mjekët amë dhe do të jepen udhëzime për komunikim me popullatën. Është thelbësore të ketë njohje të hershme, në mënyrë që institucionet shëndetësore të mund të reagojnë në mënyrë të përshtatshme. Institucionet shëndetësore janë të përgatitura për sa i përket kapacitetit të testimit.", - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Autoritetet shëndetësore krahas menaxhimit të situatës po zhvillojnë edhe një analizë të detajuar të epidemisë përmes sistemit të raportimit të sëmundjeve infektive dhe platformës "Termini im". 

Sipas tyre, të dhënat do të krahasohen me mesataren e 12 viteve të fundit, për të bërë një vlerësim objektiv të rrjedhës së epidemisë dhe reagimit të sistemit shëndetësor.

Deri më tani mbi 4 mijë qytetarë në Gostivar kërkuan ndihmë mjekësore si pasojë e konsumimit të ujit të ndotur.

Ndërkohë, pas dy javësh ndërprerje, të hënën u rikthye furnizimi me ujë, por vetëm për përdorim teknik.

Ministri i Shëndetësisë, Klekovski, tha se uji në Gostivar do të mund të përdoret sërish për konsum vetëm atëherë pasi analizat e mostrave të japin tre rezultate negative radhazi. (Rexhep Qamili, TVM2)