Maqedoni
74 milionë euro për Spitalin e Tetovës, modernizim dhe zgjerim për shërbime më cilësore
29.07.2026 14:14
Rreth 74 milionë euro pritet të investohen në Spitalin Klinik të Tetovës....

Rreth 74 milionë euro pritet të investohen në Spitalin Klinik të Tetovës. Projekti parashikon rindërtimin dhe modernizimin e bllokut kirurgjik dhe atij internistik, ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, një objekti të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji, furnizimin me pajisje moderne mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit, largimin e objekteve të amortizuara, si dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, theksoi se ky projekt është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, por edhe në krijimin e kushteve më të mira për punonjësit shëndetësorë.
"Qëllimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut të marrin shërbime shëndetësore bashkëkohore dhe në kohë, sa më pranë vendbanimit të tyre.", - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, tha se nga ana e institucionit janë bërë të gjitha përgatitjet dhe projektimet e nevojshme.
"Ashtu, nga ana jonë janë bërë të gjitha përgatitjet. Grupi punues e ka kryer punën e vet për projektimin e tre ndërtesave të reja dhe të dy ndërtesave ekzistuese që do t’i nënshtrohen rinovimit.", - theksoi drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh se tashmë ka nisur procedura për realizimin e këtij projekti dhe se do të punohet që ai të vihet sa më shpejt në shërbim të qytetarëve.
"Edhe formalisht nis procedura e realizimit të një projekti që do ta quaja ndër më të rëndësishmit për këtë pjesë të Maqedonisë, për Tetovën, Pollogun dhe pjesën perëndimore të vendit. Besojmë dhe do të punojmë që ky projekt sa më shpejt të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane.", - u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ky investim do t’u shërbejë mbi 250 mijë banorëve të rajonit të Pollogut. Me realizimin e tij pritet të ofrohen më shumë shërbime shëndetësore në nivel lokal, të ulet koha e pritjes dhe të zvogëlohet nevoja për dërgimin e pacientëve për trajtim në Shkup. Zbatimi i projektit do të nisë pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
VISAR SADIKI
