Maqedoni

Shtohen rastet me ethet e Nilit, shtatë pacientë të shtruar në Klinikën Infektive

29.07.2026 14:41

Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive....

Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive. Gjendja shëndetësore e njërit prej tyre, 76-vjeçar nga Shkupi, i cili ndodhet në repartin e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive, vazhdon të jetë e rëndë dhe ai është në mbështetje respiratore, ndërsa gjashtë pacientët e tjerë të shtruar janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, informuan nga Klinika Infektive. Sipas epidemiologut Dragan Danillovski, deri në 80 për qind të rasteve të infektuara janë pa simptome, ndërsa tek 20 për qind e të infektuarve u paraqiten ethet dhe komplikime më të rënda u shkaktohen vetëm tek 1 për qind e të infektuarve. Më të rrezikuar janë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike dhe pa imunitet.
 
“Rastet e regjistruara përfaqësojnë të ashtuquajturën majë të dukshme të Ajsbergut Epidemiologjik; nën sipërfaqe, mbetet një numër i panjohur infeksionesh asimptomatike dhe të lehta që nuk diagnostikohen ose regjistrohen kurrë. Shumica e rasteve janë autoktone, duke konfirmuar se virusi qarkullon në ciklin natyror midis zogjve dhe mushkonjave këtë verë dhe se ka transmetim lokal. Kjo është një arsye për mbikëqyrje epidemiologjike dhe entomologjike për kontrollin e mushkonjave. Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për kujdes dhe informacion të duhur.”, - deklaroi epidemiologu, Dragan Danillovski.
 
Ministri i Shëndetësisë thekson se janë në koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, me qëllim përcjelljen e gjendjes me mushkonjat në vendin tonë.
 
“Dje janë vërtetuar 3 raste, që më herët nuk kanë qenë në Klinikën Infektive. Përveç rasteve të lidhura me Greqinë, ka raste që definitivisht nuk kanë udhëtuar  jashtë vendit dhe vendbanimi i të cilëve është në zonën fushore të Shkupit. Tashmë janë marrë masa standard nga  Instituti i Shëndetit Publik, Komisioni për Sëmundje Infektive dhe do të merren masa shtesë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Autoritete shëndetësore theksojnë se simptomat e pacientëve të infektuar  janë me  temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes. Personat e hospitalizuar janë infektuar nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit, ndërsa shumica e personave e kalojnë infeksionin pa e kuptuar se kanë qenë të infektuar me virusin.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI