Doli në sipërfaqe letra e Infantinos drejtuar federatave botërore! U ofron deri në 40 milionë euro për mbështetjen e shitjes së Kupës së Botës
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino...

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka ofruar secilës prej 211 federatave kombëtare deri në 40 milionë dollarë nëse mbështesin planet e tij për ristrukturimin e biznesit komercial të Kupës së Botës. Detajet e ofertës janë zbuluar në një letër që ka rrjedhur në publik, shkruan GB Neës.
Plani për një kompani të re komerciale
Sipas dokumentit, të cilin e ka siguruar gazeta The Times, përshkruhen në detaje stimujt financiarë me të cilët presidenti i FIFA-s synon të sigurojë mbështetjen për krijimin e kompanisë "FIFA Forëard Enterprise".
Ky organ i ri komercial do të menaxhonte garat kryesore të FIFA-s dhe do të mundësonte hyrjen e investitorëve privatë. Federatat kombëtare kanë 53 ditë kohë për të vendosur nëse do ta pranojnë propozimin.
Infantino ka deklaruar se miratimi i planit do të aktivizonte një paketë financiare prej 10 miliardë dollarësh, duke filluar nga 1 janari 2027. Për krahasim, programi aktual "FIFA Forëard", me vlerë 2.7 miliardë dollarë, do të vazhdojë të zbatohet nëse propozimi refuzohet.
"Nëse vendosni të vazhdojmë me këtë propozim, paketa prej 10 miliardë dollarësh do të jetë në dispozicion nga 1 janari 2027 dhe do të shënojë fazën e ardhshme të rrugëtimit tonë të përbashkët.
Nëse preferoni të ruani gjendjen aktuale dhe ta refuzoni këtë propozim, do të vazhdojmë me zgjerimin e planifikuar të programit Forëard prej 2.7 miliardë dollarësh, siç është prezantuar më parë. Sipas këtij propozimi, çdo federatë do të ketë mundësi të përfitojë deri në 40 milionë dollarë gjatë ciklit që nis në vitin 2027", thuhet në letrën e Infantinos.
Shitja e aksioneve investitorëve të jashtëm
Planet më të gjera të FIFA-s parashikojnë krijimin e një kompanie të veçantë komerciale, vlera e së cilës vlerësohet rreth 20 miliardë dollarë. Më shumë se 20 për qind e aksioneve të saj pritet t'u shiten investitorëve të jashtëm.
Infantino pretendon se ky hap do të gjenerojë miliarda dollarë të ardhura të reja, të cilat do të shpërndahen në nivel global. Këto fonde do të përdoren për rritjen e investimeve në futbollin amator, trajnimin e trajnerëve, zhvillimin e infrastrukturës dhe mbështetjen e përfaqësueseve kombëtare.
Kritika të ashpra nga organizatat e futbollit
Megjithatë, disa nga organizatat kryesore të futbollit kanë reaguar ashpër ndaj këtij propozimi.
Federata Angleze e Futbollit (FA) deklaroi se nuk ishte njoftuar paraprakisht për planet.
"Nuk kishim dijeni për këtë propozim dhe nuk kemi marrë asnjë informacion konkret mbi përmbajtjen dhe kushtet e tij. Bazuar në informacionin e kufizuar që kemi, jemi të shqetësuar për mungesën e transparencës në procesin dhe mënyrën e qeverisjes që i parapriu këtij propozimi, si dhe për vetë parimet mbi të cilat ai bazohet. Kur FIFA ta paraqesë propozimin në mënyrë të plotë dhe transparente, siç ka premtuar, do ta bëjmë të qartë qëndrimin tonë."
Edhe UEFA reagoi ashpër, duke akuzuar FIFA-n se po përpiqet të komercializojë drejtimin e futbollit.
"Ky është një kufi që institucionet që qeverisin futbollin nuk duhet ta kalojnë kurrë. Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë mall për t'u tregtuar, sidomos kur është krejtësisht e paqartë se kush përfiton financiarisht. Askush nuk është pronar i futbollit. FIFA nuk ka të drejtë ta shesë atë."
Një reagim të ngjashëm pati edhe Concacaf, nga ku u bë e ditur se për planet kishin mësuar përmes mediave, ndërsa u kritikua mungesa e procedurave standarde dhe e konsultimeve paraprake.
