Maqedoni
Gostivari ende pa ujë të pijshëm, 73 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore
30.07.2026 15:03
Dy javë pas vendosjes së ndalimit, uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pije....

Dy javë pas vendosjes së ndalimit, uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pije. Autoritetet shëndetësore thonë se rezultatet e analizave laboratorike nuk janë ende të mjaftueshme për të tërhequr ndalimin, ndërsa monitorimi i cilësisë së ujit vazhdon çdo ditë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se institucionet nuk do të marrin asnjë vendim derisa të jenë plotësisht të sigurta se uji është i sigurt për konsum. Sipas tij, çdo ditë merren mostra nga nëntë pika të ndryshme të rrjetit të ujësjellësit dhe për heqjen e ndalimit nevojiten tri analiza të njëpasnjëshme me rezultate të rregullta.
“Duam të jemi maksimalisht të sigurt para se të lejojmë përdorimin e ujit për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Çdo ditë merren mostra nga disa lokacione. Nuk mund të spekulojmë. Nevojiten tri analiza përkatëse nga vende të ndryshme që uji të rikthehet në përdorim për pije. Analizat kryhen çdo ditë në nëntë pika të rrjetit. Mjafton një rezultat i papërshtatshëm që procedura të nisë sërish me tri analiza të reja në tri ditë të ndryshme.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë njofton se vetëm gjatë ditës së djeshme 73 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore të Gostivarit.
“Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” janë regjistruar 45 ekzaminime të reja, prej të cilave 26 në repartin infektiv dhe 18 në pediatri. Aktualisht, nga dy pacientë janë të shtruar në repartin infektiv dhe në pediatri. Në Qendrën Shëndetësore të Gostivarit janë kryer edhe 28 ekzaminime në shërbimin kujdestar.”.
Në të njëjtën kohë, vazhdon edhe hetimi për ndotjen e ujit. Prokuroria e Gostivarit ende pret një pjesë të dokumentacionit të kërkuar nga Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike Komunale. Po ashtu, do të kryhen ekspertiza financiare për pompat e kontestuara, ndërsa Policia Financiare do të hetojë edhe projektin e ujësjellësit të qytetit, i financuar me mjete zvicerane dhe gjermane.
Në paraburgim mbeten drejtoresha e Ndërmarrjes Publike Komunale dhe dy drejtues të ndërmarrjes. Ata dyshohen se, përmes vendosjes së paligjshme të pompave në dhomën e tejmbushjes në fshatin Vrutok, kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm me të cilin furnizohet Gostivari.
SANIJE DURAKU
