Maqedoni

Seanca pyetje deputetësh, Dauti dhe Sela bllokuan foltoren

30.07.2026 16:05

Dauti karakterizuan seancën pyetje deputetësh, duke e pamundësuar vazhdimësinë e së njëjtës....

Replikat e vazhdueshme të nxitura nga deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, karakterizuan seancën pyetje deputetësh, duke e pamundësuar vazhdimësinë e së njëjtës. Ajo këmbëngulte që të ndërpritet seanca përderisa nuk merr përgjigjen nga kryeministri për pyetjen e bërë një muaj më parë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione. Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kishte zgjedhur të përgjigjej me shkrim, nuk u shpreh as sot. Në një moment deputetët Dauti dhe Sela bllokuan foltoren.
 
“Ligj i cili prek rregullimin e punësimit, çështjen shumë problematike të punësimit këtu në vendin tonë, jo vetëm të neve që jetojmë sot, por edhe të brezave që do të vijnë. Prandaj, i nderuar Afrim Gashi, me qenë se unë kam të drejtë, atëherë kam të drejtë të kërkoj që përgjigjen deri sa ta kem, ju të mos vazhdoni mëtutje.”, - deklaroi deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti.
 
Kryeparlamentari Afrim Gashi pohoi se përgjigja do të jepet në afat sa më të shkurtër. Ndërkohë për respektimin e rregullores kërkoi edhe mendim zyrtar nga komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit.
 
“Nuk do të keni të drejtë për procedurale në bazë të asaj se si e shoh rregulloren dhe unë kujdesem për zbatimin e rregullores. E kërkova edhe mendimin e Komisionit në mënyrë institucionale, prandaj ju lutem që të vazhdojmë me punë. Po e patët mundësinë pesë herë, dhe nuk mund që më shumë të keqpërdoret rregullorja.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Deputetja Dauti morri përgjigjen gjatë pauzës. Ndërkohë reaguan edhe deputetët e pushtetit, duke thënë se po abuzohet me mekanizmin e procedurales. 
 
“Të abuzohet nga një deputet, të thirret në emër të opozitës, për diçka që nuk është ligjore. Ti nuk mund të bësh sanksionuesin këtu, nuk mund të bësh policin, në qoftë se ministri nuk të jep përgjigje është në përgjegjësinë e tij.”, - u shpreh deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
 
“Parashtroni pyetje të dytë, të tretë, thirrni konferenca për media, dorëzoni interpelancë dhe do të bisedojmë për gjithçka, por jo të bllokoni diçka me diçka me të cilën nuk mund të bllokoni.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Seanca vijoi edhe me kritika të deputetëve të tjerë opozitar, të cilët akuzuan se pushteti po abuzon me rregulloren, duke aplikuar standarde të dyfishta.


MERAL ISMAILI