Maqedoni

Valë e re të nxehtit, hyn në fuqi gjendja e krizës

01.08.2026 14:27

Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në të gjithë territorin e vendit...

Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në të gjithë territorin e vendit për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura. Vendimi synon koordinim më të madh mes institucioneve dhe angazhim më efikas të kapaciteteve për parandalim dhe shuarje të zjarreve.
 
“Qendra për Menaxhim me Kriza do të koordinojë aktivitetet e institucioneve, ndërsa ekipet në terren do të kenë mundësi për angazhim të përforcuar të kapaciteteve shtetërore, përfshirë edhe mbështetje nga institucionet e sigurisë nëse paraqitet nevoja”, - thuhet në vendimin e Qeverisë.
 
Në ditën e parë të gushtit, deri në orën 13:00, u regjistruan gjithsej shtatë zjarre në zona të hapura, katër prej të cilave janë aktive, asnjë zjarr nuk është jashtë kontrolli dhe tre zjarre janë shuar. 
 
Zjarri në deponinë e Strugës, i cili është përhapur edhe në vegjetacionin përreth, paraqet vështirësi serioze për shuarje. Zjarri ka dalë sërish jashtë kontrollit dhe për përballimin e situatës janë angazhuar edhe dy traktorë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. 
 
“Bëhet fjalë për një zjarr serioz, shumë i vështirë për t’u shuar. Është zjarri në deponinë e Strugës, i cili është përhapur edhe në vegjetacionin përreth. I njëjti ishte aktiv dje gjatë orëve të pasdites, ndërsa në mbrëmje ishte vendosur nën kontroll të pjesshëm. Por, fatkeqësisht, sot gjatë ditës zjarri përsëri u ka dalë nga kontrolli zjarrfikësve. Kundër tij do të dërgojmë dy traktorë “Ergo” nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim”, deklaroi drejtori i DMSH-së, Stojanco Angelov.
 
Autoritetet apelojnë qytetarët për kujdes maksimal, veçanërisht në zonat pyjore dhe gjatë aktiviteteve në natyrë, pasi temperaturat e larta, thatësira dhe era mund të përshpejtojnë përhapjen e zjarrit. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë thirrje që çdo rast zjarri të raportohet menjëherë në numrat emergjentë, në mënyrë që ekipet të mund të reagojnë sa më shpejt.
 
SANIJE DURAKU