Zhbllokimi i rrugës evropiane, Mucunski: Punohet për zgjidhje të qëndrueshme
Qeveria është duke punuar për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit...

Qeveria është duke punuar për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit, por nuk do të pranojë një zgjidhje me çdo kusht, veçanërisht për çështjet që lidhen me identitetin, gjuhën, historinë dhe kulturën.
Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve MIA.
Ai bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen bisedime diplomatike “nën radar”, respektivisht me kujdes të shtuar për tejkalimin e bllokadës në procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, përmbajtja e këtyre bisedimeve nuk mund të bëhet publike në këtë fazë, pasi nëse ato do të publikoheshin, procesi do të ishte i dënuar me dështim, tha shefi i diplomacisë Mucunski.
“Dallimi midis kësaj qeverie dhe qeverive të mëparshme është se ne nuk jemi të përgatitur të jemi të butë për çështjet që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën. Shpesh flasim për faktin se ka bisedime. Nuk duhet t’i ndajmë detajet e këtyre bisedimeve, sepse nëse fillojmë t’i ndajmë ato me publikun, atëherë i dënojmë me dështim. Por, qytetarët duhet të sigurohen se qeveria jonë e di qartë se si e ka fituar legjitimitetin e saj, ndjek qartë qëndrimin e qytetarëve për këtë çështje dhe ka tërhequr qartë vija të kuqe dhe pozicione dhe çështje për të cilat nuk është e përgatitur të negociojë. Pra, ne po punojmë për një zgjidhje, por do ta përsëris, jo një zgjidhje me çdo kusht dhe jo një zgjidhje që në vetvete nuk do të jetë e qëndrueshme dhe që do të krijojë rreziqe për të qenë përsëri në këtë situatë në të cilën jemi tani.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Mucunski beson se për këtë çështje nevojitet një konsensus politik, ndërsa adresoi kritika ndaj opozitës për, siç tha ai, për gabimet e së kaluarës dhe “mungesën e kapacitetit për të perceptuar pasojat e vendimeve të marra në vitet 2021 dhe 2022”.
LSDM: E ardhmja e shtetit nuk duhet të jetë sekrete
I menjëhershëm ishte reagimi i socialdemokratëve. Nga LSDM thonë se Mucunski po zhvillon bisedime të fshehta për të ardhmen e Maqedonisë. Për këtë arsye e pyesin se për çfarë “lëshimesh” flet ai ndërmjet rreshtave.
“Nuk ekziston asnjë vend në botë ku një ministër i Punëve të Jashtme deklaron publikisht se zhvillon bisedime për fatin e shtetit, por ato janë sekret. Si mund të jetë e ardhmja e Maqedonisë sekret për qytetarët e saj? Qeveria e mëparshme e LSDM-së, përveç sukseseve diplomatike (anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në), mbi të gjitha ishte transparente. Ajo nuk punonte pas dyerve të mbyllura dhe larg syve të opinionit publik. I vetmi “sekret” ishte propaganda e rreme e VMRO-së dhe Latasit, e njëjta që vazhdon edhe sot.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sa i përket qëndrimeve të vendit për rrugën drejt Bashkimit Evropian, Mucunski në intervistën për MIA-n njëherësh vlerësoi se vendi po përparon sa i përket reformave, por sfida me Bullgarinë, e cila sipas tij, është krijuar artificialisht, mbetet ende dhe paraqet pengesë për të ardhmen evropiane të vendit. (Rexhep Qamili, TVM2)
