Maqedoni

Epidemia në Gostivar, situata stabile, numri i kontrolleve në rënie

03.08.2026 14:35

Gjendja me epideminë në Gostivar mbetet stabile....

Gjendja me epideminë në Gostivar mbetet stabile. Gjatë 2 gushtit janë regjistruar gjithsej 84 kontrolle, numër ky shumë më i ulët në krahasim me pikun e epidemisë muajin e kaluar. Ministria e Shëndetësisë informon se situata në vazhdimësi po ndiqet nga institucionet shëndetësore.
 
“Gjatë 2 gushtit janë regjistruar 84 kontrolle, që është 27 më shumë krahasuar me ditën paraprake, kur u regjistruan 57 kontrolle. Edhe përkundër rritjes ditore, numri i kontrolleve mbetet ndjeshëm më i ulët në krahasim me pikun e 18 korrikut, kur u regjistruan gjithsej 649 kontrolle mjekësore.”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.    
 
LSDM fajëson pushtetin për qasje joserioze
 
Por, LSDM vlerëson se Qeveria nuk po tregohet sa duhet serioze në menaxhimin e krizës shëndetësore duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Socialdemokratët konsiderojnë se uji në Gostivar nuk është adekuat për pije e as për larje.
 
“Uji i hiperklorizuar nuk është për përdorim të vazhdueshëm. Përderisa koncentrimi i klorit është i lartë, uji nuk guxon të shfrytëzohet as për pastrim. Niveli i lartë i klorit shkakton irritim të lëkurës, syve dhe organeve të frymëmarrjes, posaçërisht është i rrezikshëm gjatë dushit të nxehtë. Ende nuk dimë se kush ka nënshkruar se uji është teknikisht në rregull dhe i sigurt për larje. Nëse dikush e ka nënshkruar këtë dhe tani dëshmohet se uji as nuk ka qenë teknikisht në rregull, ai do të duhet të përgjigjet penalisht.”, - deklaroi Maja Borozan nga LSDM.
 
VMRO vlerëson se situata është nën kontroll
 
VMRO – DPMNE kundërpërgjigjen se uji edhe pse ndër vitesh nuk ka qenë adekuat për pije, askush nuk ka dhënë rekomandime për moskonsum. Sipas partisë së Mickoskit, tani jepen udhëzime varësisht rezultateve.
 
“Lidhur me rastin aktual të ujit të pijshëm në Gostivar, procedurat janë në zhvillim e sipër; po kryhet një hetim, po shqyrtohet i gjithë dokumentacioni dhe rasti në tërësi, ndërsa personat më përgjegjës janë ndaluar. Domethënë, po merren të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e plotë të çështjes dhe, bazuar në rezultatet e analizave të kryera, qytetarëve po u jepen udhëzime e rekomandime në kohën e duhur.”, thonë nga VMRO – DPMNE.
 
Banorët e Gostivarit tanimë disa javë janë pa ujë të pijshëm, si pasojë e baktereve të gjetura në ujësjellësin e qytetit. Autoritetet lejuan vetëm përdorimin teknik të ujit, ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski premtoi se banorët e Gostivarit shumë shpejt do të kenë edhe ujë të pijshëm. Ndërkohë vijon hiperklorizimi i ujit, duke u analizuar çdo ditë.
 
MERAL ISMAILI