Ethet e nilit perëndimor, Cana: 10 të diagnostifikuar, 7 të dyshuar dhe të hospitalizuar
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup...

Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive në Shkup aktualisht po trajtohen 17 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor. Prej tyre, 10 janë të diagnostikuar me këtë virus, ndërsa 7 të tjerë ende nuk janë të konfirmuar, por kanë simptoma klinike që përputhen me ethet e Nilit Perëndimor.
Drejtori i Klinikës Infektive Fadil Cana për TVM2 tha se të shtatë pacientëve do t'u përsëriten analizat e nevojshme dhe se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë nën mbikëqyrje mjekësore në klinikë derisa gjendja e tyre shëndetësore përmirësohet.
“Aktualisht në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të hospitalizuar 10 pacientë, te të cilët është konfirmuar në mënyrë laboratorike prania e etheve të Nilit Perëndimor. Ndërkohë, janë të hospitalizuar edhe 7 pacientë të tjerë, për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë të infektuar, bazuar në gjendjen e tyre klinike. Tek këta pacientë po kryhen analiza dhe metoda të tjera diagnostikuese laboratorike, rezultatet e të cilave priten në ditët në vijim. Deri atëherë, ata do të vazhdojnë të trajtohen në Klinikën për Sëmundje Infektive." – tha Drejtori i Klinikës Infektive-Shkup, Fadil Cana.
Prej tyre, tre pacientë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe ndodhen në ventilim mekanik, ndërsa të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile, sqaroi më tej Cana. Të gjithë pacientët e hospitalizuar janë nga Shkupi.
"Periudha e inkubacionit të sëmundjes zgjat deri në 14 ditë dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohet ajo te një organizëm i caktuar. Ajo që dihet deri më tani është se më të rrezikuarit janë personat e grupmoshave më të vjetra. Të gjithë pacientët e hospitalizuar janë mbi 60 vjeç dhe kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese." – u shpreh Drejtori i Klinikës Infektive-Shkup, Fadil Cana.
Ndërkohë, ethet e Nilit Perëndimor kanë vënë në alarm institucionet shëndetësore dhe autoritetet lokale, të cilat kanë intensifikuar masat për luftimin e mushkonjave, bartëset kryesore të virusit.
Në disa komuna, përfshirë edhe Shkupin, po zhvillohet spërkatja nga ajri dhe toka, si pjesë e një përgjigjeje të koordinuar institucionale.
Qyteti i Shkupit këtë javë do ta realizojë spërkatjen e 11-të kundër mushkonjave në të gjithë territorin e kryeqytetit, në kuadër të masave parandaluese, ndërsa deri në fund të sezonit janë planifikuar gjithsej rreth 20 spërkatje të tilla. (Rexhep Qamili, TVM2)
