Maqedoni
Tiranë: Valon Bela dhe Bekir Halimi shpallen “non grata”
04.08.2026 16:16
Dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se veprojnë kundër interesave...

Dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se veprojnë kundër interesave të shtetit shqiptar, janë shpallur “non grata”, me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Imami Bekir Halimi dhe analisti e ish-politikani, Valon Bela, ndalohen të hyjnë ose të kalojnë tranzit në Shqipëri për 10 vite.
Nga Ministria e Brendshme thuhet se Halimi e Bela dyshohet se zhvilluan veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Shqipërisë. Propozimi për shpalljen e tyre të padëshiruar u bë fillimisht nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, e cila grumbulloi informacion të veprimtarisë së tyre. Më pas erdhi firma e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari.
Urdhri i tij u është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare, të cilat do të garantojnë ndalimin e hyrjes së tyre në Shqipëri.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bela shkruajti se ky vendim i Ramës u dha në sinkron të plotë me Vuçic.
Mbetet e paqartë se për çfarë veprimtarie konkrete dy shqiptarët e Maqedonisë janë shpallur “non grata”.
Ky është rasti i dytë brenda pak më shumë se një muaji kur Ministria e Brendshme përdor mekanizmin ligjor të shpalljes "non grata" për arsye të sigurisë kombëtare.
Më 25 qershor, e padëshiruar u shpall edhe shqiptarja e Kosovës, Ikballe Huduti, së cilës iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vjet, si e lidhur me regjimin iranian.
LULJETA TIRANE
