Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, VLEN dhe BDI me akuza të ndërsjella

05.08.2026 13:21

Partitë politike shqiptare sërish me akuza të ndërsjella...

Partitë politike shqiptare sërish me akuza të ndërsjella sa i takon propozim ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. VLEN ka akuzuar BDI-në se po e mban peng Marrëveshjen Kornizë të Ohrit për llogaritë e saj politike, gjegjësisht pengon avancimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke e bllokuar ligjin.

“Tani që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është në tavolinë, po e njëjta BDI e bllokon. Mekanizmin e Badenterit, i cili duhet t’i mbrojë interesat e bashkësive, BDI-ja e ka shndërruar në kërbaç partiak, me të cilin godet çdo zgjidhje që nuk mban vulën e saj. Nuk u intereson se çfarë fitojnë shqiptarët. Për ta është me rëndësi vetëm që VLEN-i të mos shënojë sukses”, thonë nga VLEN.

Por integristët projekt ligjin për përfaqësim të drejtë e karahasojnë me “Ligjin për Marrëdhëniet e Punës në Rrethana të Veçanta” të Serbisë për Kosovën të miratuar në vititn 1990.

Sipas nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, ligji i propozuar nga qeveria nuk përmban asnjë mekanizëm detyrues dhe asnjë sanksion.

“Ndryshe nga balancuesi, nuk ekziston asnjë detyrim ligjor që institucionet ta respektojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Gjithçka lihet në vullnetin e ministrave dhe drejtorëve, të cilët mund të punësojnë kë të duan, pa asnjë përgjegjësi dhe pa marrë parasysh strukturën demografike të shtetit.”, - shkruan Bujar Osmani në rrjetet sociale.

Kundër propozim ligjit për përfaqësim janë shprehur edhe ASH dhe Lidhja Shqiptare. Opozita shqiptare konsideron se ligji nuk përmban asnjë mekanizëm detyrues dhe sanksion ndaj institucioneve në rast se bëjnë shkelje.

Propozim ligji ka ngecur në prag të votimit të dyfishtë, me shumicë të thjeshtë dhe badenter të vogël, i cili rrezikohet si pasojë e kundërshtimeve opozitare.

Kuvendi ende nuk ka caktuar një datë të re për votimin përfundimtar të propozim ligjit. (Meral Ismaili, TVM2)