Kriza me ujin në Gostivar, LSDM: 100 mijë euro për ujë pa tender
Edhe pas më shumë se dy javësh nga vendosja e ndalesës...

Edhe pas më shumë se dy javësh nga vendosja e ndalesës, uji në Gostivar vazhdon të mos rekomandohet për pije dhe gatim. Analizat laboratorike janë ende në vijim, ndërsa qytetarët vazhdojnë të furnizohen me ujë të ambalazhuar deri në konfirmimin përfundimtar të sigurisë së ujit.
Kriza me ujin ka sjellë edhe përplasje politike!
LSDM akuzon Qeverinë se gjatë situatës emergjente ka realizuar furnizimin me ujë të ambalazhuar përmes një marrëveshjeje pa tender, në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh. Sipas opozitës, në vend që prioritet të ishte zgjidhja e problemit, janë shpenzuar mjete publike pa transparencë.
“Një marrëveshje biznesi prej 100 mijë eurosh për ujë në Gostivar, pa tender dhe pa njoftim publik. Ndërsa njerëzit po helmohen, tender-patriotët po bëjnë biznes. Askush nuk ka të drejtë të luajë me shëndetin e qytetarëve, e aq më pak të përfitojë në një kohë kur njerëzit po vuajnë” – tha Simona Cvetanovska nga LSDM.
Qeveria mohon akuzat për keqpërdorim, VMRO: LSDM po bën politikë me krizën e ujit
Qeveria i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe manipuluese. Nga ekzekutivi thonë se nuk është e saktë se uji është blerë me çmim prej 125 denarësh për shishe, duke theksuar se furnizimi është realizuar sipas procedurave për raste emergjente dhe se prioritet ka qenë mbrojtja e shëndetit të qytetarëve.
“Një shishe uji prej 1.5 litrash, e cila në shitje me pakicë kushton të paktën 25 denarë, Qeveria e siguron me çmim prej 12.5 denarësh. Kjo është e mundur falë kontributit të kompanisë "Kozhuvçanka", e cila merr pjesë në furnizim me qëllim të ndihmës për qytetarët dhe institucionet në kohë krize. Faktet janë të qarta dhe lehtësisht të verifikueshme" – thonë nga Qeveria.
VMRO-DPMNE gjithashtu reagoi ndaj akuzave të LSDM-së, duke e akuzuar opozitën se po përpiqet të fitojë pikë politike nga situata me ujin në Gostivar.
"Të njëjtët njerëz që ishin në pushtet për vite me radhë nuk mund të paraqiten sot sikur nuk kanë përgjegjësi për kushtet që lanë pas. Në vend të teatrit politik, LSDM dhe Filipçe duhet t'u shpjegojnë qytetarëve pse nuk bënë asgjë, ndërsa kishin të gjithë pushtetin institucional në duart e tyre." – deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave, ndalesa për përdorimin e ujit për pije dhe gatim mbetet në fuqi, ndërsa institucionet vazhdojnë monitorimin e situatës. (Sanije Duraku, TVM2)
