Temperatura të larta deri në 40 gradë, QMK: Janë shuar 22 zjarre në ambiente të hapura

05.08.2026 14:37

Zjarret në ambiente të hapura vazhdojnë të jenë një kërcënim...

Zjarret në ambiente të hapura vazhdojnë të jenë një kërcënim gjatë ditëve të nxehta të verës. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 22 vatra zjarri në disa zona të vendit, por sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, të gjitha janë shuar dhe aktualisht nuk ka zjarre aktive.

“Zjarret u shuan në disa lokacione në të gjithë vendin, duke përfshirë komunat Çuçer Sandevë, Karposh, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Manastir, Prilep, Strugë, Kriva Pallankë, Tetovë, Zhelinë, Kavadar, Kumanovë, Qendër, Haraçinë dhe Gostivar. Shumica e ndërhyrjeve kishin të bënin me zjarre në bimësi të ulët, bar të thatë dhe shkurre, dhe zjarre në deponi, djegie druri, si dhe një zjarr në një pyll të degraduar me kërcell të ulët”, theksojnë nga QMK.

Ky institucion apelon qytetarët  që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm gjatë lëvizjes dhe qëndrimit në hapësira të hapura, me qëllim parandalimin e shfaqjes së zjarreve të reja, veçanërisht gjatë periudhave të temperaturave të larta. 

Kujdes kërkohet edhe në vendet e punës.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë u bëri thirrje punëdhënësve që të respektojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve dhe të shmangin punën në ambiente të hapura gjatë orëve me temperatura më të larta.

“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon nga punëdhënësit t’i respektojnë masat për siguri dhe shëndet në punë, ta zvogëlojnë dhe ta ndalojnë punën në ambiente të hapura për punëtorët gjatë pjesëve më të nxehta të ditës, si dhe t’i sigurojnë të gjitha mjetet dhe masat për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve në këto kushte”, njoftojnë nga LSM. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)