Maqedoni

Integrimet evropiane, LSDM: Qeveria po përgatit pranimin e propozimit francez

05.08.2026 16:07

LSDM pretendon se Qeveria po përgatitet për ta pranuar propozimin francez...

LSDM pretendon se Qeveria po përgatitet për ta pranuar propozimin francez për integrimin evropian, duke thënë se informacionet i ka marrë nga burime diplomatike evropiane.
 
Nënkryetari i partisë, Andrej Zhernovski, akuzoi pushtetin se po përgatit terrenin për një ndryshim qëndrimi dhe se atë që më herët e cilësonte si të papranueshme, tani do ta paraqesë si sukses.
 
“Po përgatitet terren për pranimin e propozimit francez. Informacionet tona nga Brukseli flasin se Qeveria e Mickoskit tashmë e ka dakorduar këtë. Janë shterur të gjitha përpjekjet dhe gënjeshtrat që më parë njerëzit e Qeverisë përpiqeshin t’ua paraqisnin qytetarëve. Nuk ka më hapësirë për improvizime të reja”, deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Andrej Zhernovski.
 
MPJ: Bisedojmë, por nuk heqim dorë nga interesat nacionale
 
Ministria e Punëve të Jashtme i hodhi poshtë pretendimet e LSDM-së, duke i cilësuar si dezinformata dhe përpjekje për krijimin e konfuzionit në opinion. Nga MPJ thonë se ka komunikim të vazhdueshëm me institucionet evropiane dhe vendet anëtare, por theksojnë se nuk do të ketë lëshime për interesat nacionale.
 
“Pretendimet për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë apo negociatave të fshehta janë edhe një tjetër trillim që LSDM-ja ia paraqet opinionit. Qëndrimi i Qeverisë është i qartë: nuk ka lëshime sa i përket interesave kombëtare, identitetit, gjuhës dhe historisë”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
 
VMRO: Pretendime të pavërteta të LSDM-së
 
Edhe VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës. Nga partia në pushtet thonë se pretendimet për pranimin e propozimit francez janë vetëm një tjetër gënjeshtër e LSDM-së.
 
“Ne në Kuvend kemi shumicë prej dy të tretash të votave. Nëse do të donim ta bënim këtë, do ta kishim bërë, nuk do të prisnim kaq gjatë. Gjithçka që thotë LSDM-ja është krejtësisht e kundërt me të vërtetën”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Debati për rrugën evropiane të vendit vazhdon, ndërsa pushteti dhe opozita mbajnë qëndrime të kundërta për mënyrën e tejkalimit të kontestit me Bullgarinë dhe hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU