Maqedoni

Prezantohen rezultatet e maturës shtetërore, nota mesatare 3.66, Janevska e kënaqur

06.08.2026 13:33

Nota mesatare nga provimi i maturës në afatin e qershorit është 3.66...

Nota mesatare nga provimi i maturës në afatin e qershorit është 3.66, duke përfshirë të tre llojet e maturës, të cilat u organizuan për herë të parë këtë vit. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska-Mihajllovska, prezantuan rezultatet përfundimtare të maturës shtetërore për vitin shkollor 2025-2026.
 
Në maturën shtetërore nota mesatare ishte 3.62, në maturën profesionale 3.91, ndërsa në maturën artistike 3.59. Janevska dhe Jovçevska-Mihajllovska thanë se rezultatet janë objektive dhe u shprehën të kënaqura me notën mesatare të arritur.
 
"Qendra Shtetërore e Provimeve është e kënaqur me rezultatet e arritura në këtë afat të provimeve. Siç thamë, nota mesatare është 3.66, pothuajse e njëjtë me rezultatet e vitit të kaluar. Është e rëndësishme të theksohet se po ruhet një vazhdimësi sa i përket notës mesatare", deklaroi drejtoresha e qendrës shtetërore të provimeve Daniela Jovçevska Mihajlovska.
 
"E rëndësishme është për të thënë se ne, po e forcojmë procesin dhe mendoj se nota mesatare e këtij viti, nuk është aspak notë e keqe. Çdo rezultat mbi 3.5, në thelb paraqet sukses shumë të mirë dhe besoj se ky është një rezultat shumë solid për të gjithë gjeneratën. Nuk mund të presim që një gjeneratë e tërë të ketë sukses të shkëlqyer. Prandaj them se me notën e këtij viti po i afrohemi një vlerësimi real, me të cilin duhet të jemi plotësisht të kënaqur", u shpreh ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska.
 
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit është ulur numri i nxënësve që kanë kopjuar. Vetëm 226 maturantëve u është anuluar testi dhe ata do t'i nënshtrohen sërish provimit të maturës shtetërore në afatin e gushtit.
 
Sipas Janevskës, një pjesë e tyre u kapën duke kopjuar gjatë provimit dhe u përjashtuan menjëherë, ndërsa te pjesa tjetër kopjimi u konstatua pas shqyrtimit të përgjigjeve në testet e tyre. Madje, disa prej tyre kishin shënuar edhe përgjigje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që disa të kenë përdorur edhe celularë për të kopjuar, pa u vënë re nga testatorët, tha Jovçevska-Mihajllovska.
 
"Kur vlerësuesit i marrin testet  për ti kontrolluar dhe shohin se ato janë të njëjta, identike, se të gjitha argumentet janë të njëjta ose kur mbi 70 për qind e përgjigjeve përputhen me ato të një kandidati tjetër, kjo tregon se bëhet fjalë për kopjim. Ndonjëherë nxënësit dinë t’i fshehin telefonat me shumë mjeshtëri. Mbikëqyrësi i vëzhgon vazhdimisht, por sapo ai kthen shpinën, ndonjëri mund të përpiqet t’ia japë telefonin kandidatit tjetër", theksoi Mihajlovska.
 
Për provimet e maturës u përgatitën programe të veçanta, mbi të cilat u hartuan testet, të bazuara në programet mësimore të arsimit katërvjeçar.Nga 14 587 nxënës të regjistruar, 12 184 iu nënshtruan maturës shtetërore, 2 276 maturës profesionale dhe 127 maturës artistike.
 
Në provim munguan 348 nxënës 2,39%.Gjimnazistët dhanë vetëm maturë shtetërore, ndërsa nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike mund të zgjidhnin mes maturës shtetërore dhe asaj profesionale ose artistike.
 
REXHEP QAMILI