Maqedoni
Epidemia në Gostivar, vazhdojnë përplasjet politike për ujin
06.08.2026 14:27
Rasti me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar ka nxitur akuza të reja...

Rasti me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar ka nxitur akuza të reja mes pushtetit dhe opozitës, pasi ministra e Shëndetësisë njoftoi se rezultatet përfundimtare të analizave të ujit priten deri më 20 gusht.
Nga LSDM akuzojnë se institucionet po vonohen me analizat zyrtare dhe se Qeveria nuk ka reaguar me kohë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Partia pretendon se pushteti ka dhënë informacione kontradiktore për sigurinë e ujit dhe kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale.
“Katastrofa në Gostivar po vazhdon. Mijëra qytetarë janë helmuar, mbi 4,000 njerëz janë përballur me pasojat e ujit të ndotur. Kolaps total i institucioneve shëndetësore, i Mickoskit dhe Klekovskit. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi dje se analiza zyrtare e ujit të pijshëm në Gostivar nuk do të publikohet deri më 20 gusht.Ka baktere të rrezikshme në ujë, dhe qytetarët e Gostivarit tani duhet të presin edhe dy javë për rezultatet zyrtare. Atëherë, bazuar në cilat rezultate, e shpallën ujin "teknikisht të saktë" dhe mund të përdoret”, deklaroi Maja Borozan nga LSDM.
VMRO-DPMNE është kundërpërgjigjur. Ata thonë se problemi me ujin e pasigurt në Gostivar ka ekzistuar edhe gjatë qeverisjes së mëparshme të LSDM-së. Sipas tyre, institucionet e asaj kohe kishin informacione për praninë e baktereve në rrjetin e ujësjellësit, por nuk e kishin informuar opinionin dhe nuk kishin ndërmarrë masat e nevojshme.
“Llumi i LSD-së dhe tradhtari Filipce jo vetëm që nuk e zgjidhën problemin e ujit në Gostivar, por ata kurrë nuk kërkuan dhe as nuk morën përgjegjësi. Dokumentet që ndamë me publikun nga hetimet tregojnë se gjatë kohës së LSD-së dhe Venko Filipces, raste të ujit të pijshëm të pasigurt u regjistruan në vendbanime të ndryshme në të gjithë vendin, si dhe në Gostivar. Por sot lind një pyetje edhe më e rëndësishme, dhe ajo është nëse dikush nga qeveria e atëhershme kërkoi përgjegjësi? A u shkarkua ndonjë drejtor? A u thirr ndonjë kryetar bashkie në përgjegjësi? Përgjigja është jo”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në Gostivar po shkon drejt normalizimit të plotë, falë reagimit të institucioneve lokale dhe qendrore,Sipas tyre Gostivari nuk duhet të shfrytëzohet për pika politike.
“Çdo lëshim duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të përcaktohet nga institucionet kompetente. Por situata delikate në Gostivar nuk duhet të përdoret për tensione, viktimizim apo përfitime partiake.Gostivari ka nevojë për solidaritet, përgjegjësi dhe ndihmë konkrete, jo për propagandë dhe skenarë politikë” thuhet në reagimine ASH-së.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit.
REXHEP QAMILI
