Maqedoni

Gashi, më 18 tetor votohet për kryetar të Bërvenicës

07.08.2026 16:16

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka nënshkruar vendimin për shpalljen...

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të mbahen më 18 tetor të këtij viti.
 
Në njoftimin për shpalljen e zgjedhjeve për kryetarë të Bërvenicës, kryeparlamentari Gashi thekson se pret nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Komunal dhe të gjitha organet e angazhuara për zbatimin e këtij vendimi, ta zhvillojnë procesin zgjedhor me profesionalizëm, paanshmëri dhe në respekt të plotë të ligjit dhe procedurave.
 
“U bëj thirrje të gjithë kandidatëve dhe subjekteve politike që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, duke garuar me programe, ide dhe vizion për zhvillimin e komunës, e jo me gjuhë përçarëse apo veprime që cenojnë besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Qytetarët e Bërvenicës i ftoj që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike me përgjegjësi, duke kontribuar në një proces të qetë, të rregullt dhe kredibil që do e përcaktojë drejtimin e ardhshëm të komunës së tyre. Jam i bindur se këto zgjedhje do të dëshmojnë pjekurinë demokratike të institucioneve dhe të qytetarëve tanë”, thekson kryeparlamentari Gashi.
 
Zgjedhjet për kryetarë të Bërvenicës mbahen pasi më 23 qershor të këtij viti, ka ndrruar jetë Kryetari i kësaj komune, Jovica Ilievski.