BDI dhe VLEN, përplasje për gjuhën shqipe në procesverbale

09.08.2026 15:25

Procesverbalet e seancave të Qeverisë...

Procesverbalet e seancave të Qeverisë prej pothuajse një viti nuk publikohen në gjuhën shqipe. Me këtë akuzë sot doli BDI-ja, duke i drejtuar kritika përfaqësuesve të ekzekutivit, e sidomos VLEN-it si pjesë e Qeverisë, duke pyetur se si është e mundur që dokumentet e organit më të lartë të pushtetit ekzekutiv të mos publikohen në shqip. BDI-ja e dënon, siç thotë, këtë shpërfillje të detyrimeve ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe dhe kërkon përgjegjësi institucionale.

Integristët kërkojnë nga Qeveria të bëjë publike arsyet për mosbotimin e këtyre procesverbaleve, të sqarojë se kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe të publikojë menjëherë të gjithë dokumentacionin që mungon në gjuhën shqipe.

“Procesverbali i fundit i publikuar në shqip është i datës 19 shtator 2025. Që nga ajo kohë janë mbajtur 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet e tyre vazhdojnë të mungojnë në versionin shqip të faqes zyrtare. Bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar të institucionit më të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe për një periudhë prej 11 muajsh. Një numër kaq i madh dokumentesh të papublikuara kërkon sqarim të plotë për mënyrën se si po zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve brenda vetë Qeverisë. Situata është edhe më serioze pasi çështja është ngritur publikisht edhe më herët, ndërsa përfaqësues të s’vlen-it kanë deklaruar se procesverbalet janë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe. Sot, 83 procesverbale të njëpasnjëshme vazhdojnë të mos jenë të qasshme në shqip” thuhet në komunikatën e BDI-së, duke këmbëngulur se VLEN-i duhet t’u përgjigjet shqiptarëve se për çfarë arsyeje ka lejuar që për 11 muaj radhazi, ose gjithsej në 83 seanca të Qeverisë, kjo situatë të vazhdojë pa u korrigjuar.

Sipas BDI-së, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton edhe sanksione për mosrespektimin e dispozitave të tij. 

Akuzave të BDI-së u është përgjigjur Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, sipas të cilit gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, përdorimi i gjuhës shqipe nuk ishte në nivelin që kjo parti e kërkon tani.

“Pasi BDI manipulon gjatë gjithë kohës me gjuhën shqipe, po prezantojmë vetëm disa argumente se sa BDI-ja e zbatonte gjuhën shqipe kur ishte në Qeveri. Faktet po u’a sjellim nga vite të ndryshme gjatë qeverisjes së tyre”, - ka shkruar Zv. Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, duke publikuar shembuj nga procesverbalet nga periudha kur BDI ishte në qeveri. (Rexhep Qamili, TVM2)