Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje, Maksuti: Remitancat vjetore 250-300 milion euro

09.08.2026 16:39

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës...

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës vazhdon të jetë një nga burimet e rëndësishme të të ardhurave për ekonominë tetovare e vendore. Sipas ekonomistit Ali Maksuti, vetëm gjatë sezonit veror në vend hyjnë qindra miliona euro nga remitancat e mërgimtarëve, të cilat pjesërisht përfundojnë në konsum dhe në bizneset lokale.

“Çdo vit të hyrat apo remitancat vjetore llogariten nga 250-300 milion euro të hyra nga sjelljet e mërgimtarëve gjatë verës, por këtu janë të hyra vetëm në rrugë legale apo ku vijnë mërgimtarët, por dërgojnë edhe brenda vitit për familjet. Por kjo shumë është neto. E kam thënë edhe më herët se këto remitanca duhet të kanalizohen në investime kapitale sepse këto remitanca kanë ndikim në sektor të ndryshëm, por janë tërthorazi, pra janë më tepër në sektor konsumi dhe shumë pak në patundshmëri. Kjo ardhje e emigrantëve si dimrit edhe verës ndikon shumë dhe është një infuzion i mirë ekonomik apo financiar për familjet që jetojnë këtu, sepse mjetet që harxhojnë këtu janë më tepër për konsum”. – u shpreh Ali Maksuti – ekonomist.

Kjo rritje e konsumit është ndjerë edhe në bizneset e Tetovës. Një nga sektorët që tradicionalisht përfiton më shumë gjatë sezonit të mërgimtarëve është ai i argjendarisë, tekstilit dhe gastronomia.

Përveç numrit më të madh të blerësve, këtë vit në qarkullim ka ndikuar edhe lëvizja e çmimit të arit, thotë Mensur Arifi, Kryetar i Odës së Zejtarëve të Tetovës.

“Sivjet saktë është se ka pasur më shumë gurbetçar dhe ka pasur lëvizje më shumë sepse ari shkoi në ulje nga 154.000 u bë 112.000 euro dhe kjo ka ndikim për shitjen tek ne. Si sezonë është si gjithnjë aty pari, por kur ari bie fitimi është më i mirë dhe kjo është ajo që sivjet na ndihmon neve”. – deklaroi Kryetari i Odës së Zejtarëve të Tetovës, Mensur Arifi.

Por ndikimi i ardhjes së mërgimtarëve nuk kufizohet vetëm te argjendaritë. Rritje të aktivitetit gjatë kësaj periudhe kanë shënuar edhe bizneset e tekstilit dhe veshmbathjeve, ku pronarët thonë se numri i klientëve është shtuar ndjeshëm.

“Ka pasur shumë, ka pasur, për momentin mirë është sepse ka pasur shumë mërgimtarë. Me ardhjen e mërgimtarëve shtohet gjithnjë puna, mirë është, super”. – tha një pronar butiku në qytetin e Tetovës.

Efekti ekonomik i diasporës është ndjerë edhe në sektorin e gastronomisë, veçanërisht në organizimet familjare. Restorantet për dasma dhe ahengje kanë pasur një numër më të madh rezervimesh gjatë kësaj vere, ndërsa shpenzimet e mërgimtarëve kanë gjallëruar edhe sektorë të tjerë të ekonomisë lokale. (Visar Sadiku, TVM2)