Siljanovska-Davkova takon Qyrën, UNESCO dhe bashkëjetesa në fokus

13.08.2026 13:24

Mbrojtja e rajonit të Ohrit dhe Strugës nën UNESCO...

Mbrojtja e rajonit të Ohrit dhe Strugës nën UNESCO, bashkëjetesa dhe çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët, ishin temë e diskutimit në takimin mes presidents Gordana Siljanovska Davkova, me kryetarin e komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Në këtë takim, mes tjerash u theksua nevoja për bashkëpunim ndërmjet komunave dhe institucioneve shtetërore në pesë vitet e ardhshme.

“Është e rëndësishme të zgjidhen problemet reale që shqetësojnë të gjithë qytetarët. Duhet ta shfrytëzojmë besimin dhe mundësinë që na është dhënë nga UNESCO. Struga, Ohri, institucionet shtetërore dhe Ministria e Kulturës kanë rol të rëndësishëm në këtë proces.” – tha Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova.

Siljanovska-Davkova nënvizoi edhe rëndësinë e ruajtjes së Liqenit të Ohrit dhe të gjithë rajonit, si dhe nevojën për bashkëpunim me Shqipërinë në përmbushjen e rekomandimeve të UNESCO-s.

Në takim u diskutua gjithashtu për tejkalimin e ndarjeve dhe forcimin e bashkëjetesës mes qytetarëve.

“Falënderim i madh për presidenten. Biseduam për dy tema shumë të rëndësishme: Marrëveshjen e Ohrit, si një nga themelet e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, dhe UNESCO-n. Është një çështje shumë e rëndësishme, për të cilën ne si komunë, por edhe institucionet e tjera, duhet të punojmë gjatë pesë viteve të ardhshme. Biseduam gjithashtu për çështje të ndryshme që lidhen me bashkëjetesën.” – deklaroi Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional për ruajtjen e statusit të rajonit të Ohrit dhe Strugës dhe për forcimin e bashkëjetesës. (Fitore Istrefi, TVM2)