Marrëveshja e Ohrit, Gashi: Vlerë e gjallë, jo vetëm datë
Marrëveshja e Ohrit mbetet shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese...

Marrëveshja e Ohrit mbetet shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese dhe institucionale të shtetit, thotë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në komunikatën e tij për 13 gushtin, 25 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ai kërkon që përvjetori të shihet përtej dallimeve politike dhe interpretimeve të përditshme.
“Pas një çerek shekulli, pyetja që duhet t'i bëjmë vetes nuk është më se çfarë kemi arritur, por çfarë na mbetet t'u trashëgojmë brezave të ardhshëm, shtetin që duam. Le ta trashëgojë çdo brez i ardhshëm Marrëveshjen e Ohrit si pikë kthese në histori dhe si vlerë të gjallë të shtetit”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ai shton se forca e vendit nuk qëndron në dallimet që ndajnë qytetarët, por në aftësinë për t'i kthyer ato në vlera të përbashkëta.
Marrëveshja e Ohrit, Mickoski: Politika të merret me atë që na bashkon
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një postim në Facebook, pranon se marrëveshja përjetohet dhe interpretohet ndryshe nga qytetarët. Ai kërkon që historia të mos përshtatet me politikën e ditës.
“Është koha që politika të merret gjithnjë e më pak me atë që na ndan dhe shumë më tepër me atë që duhet ta ndërtojmë bashkë. Maqedonisë i nevojitet një shoqëri ku vlera e njeriut nuk matet sipas prejardhjes, por sipas dijes, punës dhe ndershmërisë”, - ka shkruar kryeministri Hristijan Mickoski.
Kryeministri i vendit thekson se sfidat e sotme janë institucionet funksionale, barazia para ligjit, arsimi dhe standardi jetësor, çështje për të cilat, sipas tij, duhet të bashkohen të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo politike. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
