Marrëveshja e Ohrit, BDI dhe VLEN, përvjetor me akuza
25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit...

25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit i gjeti dy blloqet politike shqiptare të ndara, me akuza dhe kundërakuza ndaj njëra-tjetrës. Nga BDI thonë se pikërisht në këtë përvjetor, në vend që parimet e marrëveshjes të konsolidohen, shoqëria shqiptare po përballet me një proces të zhbërjes së tyre.
“Për ne, ky jubile nuk është vetëm rast për të kujtuar atë që është arritur, por moment për të ngritur zërin për atë që sot po rrezikohet. Përdorimi i gjuhës shqipe është vënë nën sulm dhe dispozitat ligjore në fuqi nuk zbatohen; legjitimiteti politik i shqiptarëve u nëpërkëmb; ndërsa emrat e rrugëve dhe shesheve po tentohet të zëvendësohen me emërtime nga periudha e monizmit. Çdo përpjekje për ta kthyer vendin në logjikën e mbivotimit dhe margjinalizimit është rrezikim i vetë formulës që e ruajti paqen për një çerek shekulli”, theksojnë nga BDI.
Kundërprëgjigjen nga VLEN, duke thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së, por rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë.
“Ajo që nisi si akt i ndërgjegjes kombëtare, BDI-ja e zhbëri, duke e kthyer në bankomat për pasurim personal. Aq e gjatë është lista e të korruptuarve të BDI-së që e përdorën Marrëveshjen e Ohrit për t'i mbushur xhepat, saqë edhe partneri ynë strategjik foli publikisht për korrupsion endemik pikërisht për këta që sot rrahin gjoksin për shqiptari”, thuhet në kounikatën e VLEN-it.
Sipas partisë shqiptare në pushtet, Marrëveshja e Ohrit u përket shqiptarëve dhe nuk është tapi e Ali Ahmetit dhe BDI-së. (Fitim Kryeziu, TVM2)
