25 vjet jetë të Marrëveshjes së Ohrit, Sali: Dokument i së kaluarës dhe të ardhmes

13.08.2026 16:22

Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument i së kaluarës...

Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument i së kaluarës, është një përgjegjësi e së tashmes dhe një orientim për të ardhmen. Ky ishte mesazhi i Zv.Kryeministrit Bekim Sali, në seancën solemne kushtuar një çerek shekullit të Marrëveshjes Kornizë. Sipas tij, dokumenti nuk duhet parë si i mbyllur por si mekanizëm i gjallë i rendit kushtetues. Duke folur për angazhimet qeveritare, Sali nënvizoi nevojën për zbatimin e dizpozitave që burojnë nga ky dokument paqësor, mes tjerash, edhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Përgjegjësia jonë është që t’i zbatojmë dispozitat e saj dhe t’i përmbahemi frymës së saj. Ashtu siç po bëjmë edhe ne si qeveri, së fundmi duke ia propozuar kuvendit një dispozitë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, siç është Ligji për përfaqësim adekuat. Në këto 25 vite kemi mësuar një mësim të rëndësishëm politik. Stabiliteti nuk është produkt i rastësisë, por ai ndërtohet me dialog, kompromis dhe respektim të marrëveshjeve, dhe, mbi të gjitha, ndërtohet me besim se ky shtet u takon të gjithë qytetarëve në kuptim të barabaratë.” – deklaroi Zv.Kryeministri i vendit, Bekim Sali.

Nikollovski: Na e mësoi bashkëjetesën dhe dialogun

Duke e quajtur si dokument historik që la gjurmë në shtetin tonë. zv.kryeministri Aleksandar Nikollovski tha se shteti atë botë iu shmang ndasive dhe zgjodhi rrugën e paqes.

“Para 25 viteve shteti mundi të ecë drejt atij drejtimi të ndasive, por zgjodhi të merr rrugë krejtësisht tjetër: rrugë të bashkëpunimit, dialogut, respektit të ndërsjellë dhe kuptimit. Zgjodhi rrugën e marrëveshjes, kompromisit dhe pjekurisë politike. Këtu i padyshimtë është edhe roli i bashkësisë ndërkombëtare, partnerëve tanë nga BE-ja dhe NATO, aty ku shteti natyrisht e ka vendin, jo vetëm për shkak të përcaktimit politik por edhe për shak të përcaktimit të të gjithëve që jetojnë në Maqedoni.” – u shpreh Zv.Kryeministri Aleksandar Nikollovski.

Si kapitull që na e mësoi bashkëjetesën, tani angazhimi të drejtohet në trashëgimi prosperuese për ardhmërinë, shtoi Nikollovski, ndërsa angazhimi i tanishëm qeveritar të përqëndrohet në zhvillim infrastrukturor, shëndetësi dhe arsimim evropian. Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001 dhe i dha fund konfliktit të armatosur të atij viti.

Ajo solli ndryshime kushtetuese, decentralizim, përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe përfaqësim të drejtë në administratë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)