Lotaria shtetërore, aktakuzë për 8 persona, mes tyre edhe Grubi
Pas muajsh hetime, rasti për keqpërdorimet e pretenduara në Lotarinë Shtetërore...

Pas muajsh hetime, rasti për keqpërdorimet e pretenduara në Lotarinë Shtetërore hyn në një fazë të re. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, mes tyre edhe ndaj ish Zv.Kryeministrit, Artan Grubi.
Sipas aktakuzës, dëmi i pretenduar për Lotarinë gjatë viteve 2023 dhe 2024 arrin në 507 milionë e 632 mijë denarë.
“Ata kanë qenë të vetëdijshëm se Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit ‘Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut’ nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në terminale të videolotarisë në territorin e shtetit, pasi në vitin 2013 këtë të drejtë e kishte investuar si kontribut jo-monetar, me vlerë prej 6.244.898 eurosh, gjatë themelimit të Shoqërisë për organizimin e lojërave të fatit ‘Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë’, Videolotaria ‘KASINOS AUSTRIA’ - SHPK Shkup, për çka kishte fituar pjesëmarrje prej 51 për qind në kapitalin themeltar të shoqërisë.”, - thuhet në komunikatën me shkrim të Prokurorisë Themelore Publike.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit e dinin se Lotaria nuk kishte të drejtë t’i organizonte vetë këto lojëra përmes terminaleve të videolotarisë.
Kjo e drejtë, sipas Prokurorisë, ishte dhënë në vitin 2013 si kontribut jo-monetar i Lotarisë në shoqërinë e përbashkët me “Casino Austria”, në vlerë prej mbi 6,2 milionë eurosh, në këmbim të 51 për qind të kapitalit.
Për Grubin kërkohet vazhdimi i arrestit shtëpiak dhe ndalimi për kalimin e kufirit. Për ish-drejtorin Perparim Bajrami, i cili është në arrati, kërkohet paraburgim prej 30 ditësh nga momenti i gjetjes.
Aktakuza është dorëzuar në gjykatë, ndërsa pretendimet e Prokurorisë duhet të dëshmohen në procedurën gjyqësore. (Sanije Duraku, TVM2)
