Uji i pijshëm, përplasje politike pas panikut në rrjete

13.08.2026 18:30

Pas pohimeve në rrjetet sociale....

Pas pohimeve në rrjetet sociale se në ujin e Ujësjellësit të Shkupit ka “Escherichia coli”, disa persona janë thirrur në MPB për intervistë informative. Nga aty bëjnë të ditur se veprimet hetimore janë ende në vazhdim.

Çështja ka përplasur partitë politike. Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja po përpiqet të përhapë panik te qytetarët me informacione të pasakta.

“Këtë herë ata shkuan deri në fund me gënjeshtrat e tyre dhe përhapjen e panikut tek qytetarët duke thënë se uji në Shkup është i pasigurt për t’u pirë. Ky informacion nuk është vetëm kritikë e zhveshur politike, por dezinformim i rrezikshëm. Ky informacioni i tillë i pasaktë dhe i paverifikuar jo vetëm që krijon panik, por në fund të fundit mund të ndikojë në shëndetin e qytetarëve” – tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja opozitare thonë se në mbi 50 vendbanime uji i pijshëm nuk është i sigurt. Ata i bëjnë thirrje Qeverisë të kryejë analiza në të gjithë vendin dhe t'i publikojë rezultatet.

“Në mbi 50 vendbanime, uji i pijshëm nuk është i sigurt. Çdo ditë publikohen informacione të reja për komunat ku uji është i helmuar. Dje, autoritetet konfirmuan se edhe uji i pijshëm në Sveti Nikole është i ndotur, janë përcaktuar devijime mikrobiologjike në rrjetin e furnizimit. Në kushte të tilla, qeveria e Mickoskit nuk pranon një analizë të ujit në të gjithë vendin dhe rezultatet të shpallen publikisht." – deklaroi Maja Borozan nga LSDM.

Sa i përket ujit në Shkup, institucionet kompetente kanë siguruar se uji nga Ujësjellësi i kryeqytetit është i pijshëm. Ato reaguan menjëherë ndaj pohimeve në rrjete sociale, ndërsa çështjen e mori në shqyrtim edhe prokuroria. (Fitim Kryeziu, TVM2)