QMK: 40 zjarre në hapësira të hapura, 6 ende aktive në vend
14.08.2026 13:56
Gjithsej 40 zjarre në hapësira të hapura...

Gjithsej 40 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar në territorin e Maqedonisë së Veriut deri në orën 07:30 të mëngjesit të 14 gushtit, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sipas të dhënave, gjashtë zjarre janë ende aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa 31 zjarre janë shuar.
Zjarret aktive janë regjistruar në gjashtë komuna. Në Komunën e Studeniçanit, zjarri është përhapur mbi fshatrat Moranë, Vërtekicë dhe Ramni Gabër, ku përfshihet pyll i përzier.
Në territorin e Makedonski Brodit, zjarri është aktiv në lokalitetin Vidush, pranë fshatit Dragov Dol, duke përfshirë vegjetacion të ulët, pyll të ulët dhe shkurre. Zjarr aktiv raportohet edhe në fshatin Llopaticë të Manastirit, ku është përfshirë vegjetacion i ulët.
Në Komunën e Novacit, zjarri përfshin zonat e fshatrave Makovë, Mojno dhe Bërnik, me vegjetacion të ulët dhe pyll të degraduar. Në Krushevë, zjarri është aktiv në drejtim të fshatrave Aldanc dhe Norovë, ku është përfshirë pyll i ulët i degraduar me dushk.
Zjarri i gjashtë aktiv është në fshatin Slëp të Komunës së Velesit, ku është përfshirë pyll.
Ndërkohë, tre zjarre janë nën kontroll. Ato ndodhen në deponinë e qytetit në Dellçevë, në zonën e fshatrave Lozhnan dhe Vasharejcë në Mogillë, si dhe në fshatin Kopancë të Jegunovcës, ku është përfshirë pyll.
Qendra për Menaxhim me Kriza raporton se 31 zjarre të tjera janë shuar në disa pjesë të vendit, përfshirë zonat e Shkupit, Prilepit, Krivogashtanit, Krushevës, Dollnenit, Ohrit, Strugës, Kërçovës, Çashkës, Velesit, Kavadarit, Kumanovës, Likovës, Jegunovcës, Tetovës, Vrapçishtit dhe Gostivarit.
Sipas njoftimit, zjarret e shuar kanë përfshirë kryesisht vegjetacion të ulët, shkurre, pyje, kashtë, deponi dhe zona të tjera të hapura.
Situata me zjarret mbetet aktive në disa rajone të vendit, ndërsa ekipet kompetente vazhdojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren.
